George dhe Amal Clooney nuk janë grindur kurrë gjatë martesës së tyre. Në një intervistë që u bë virale (se normale, kur flet George Clooney, bota ndalon), ai tha që martesa me Amal-in është “gjëja më e lehtë në jetë”. Dhe kur u pyet së fundmi nëse kjo vlen ende, tha me shaka: “Jemi duke kërkuar diçka për t’u grindur.”
Ndërkohë ne të tjerët? Ne zihemi për gjithçka: për mënyrën si hedh çorapet e papastra vërdallë, për koshin e mbeturinave që pret te dera ta marrë dikush, për “pse s’më the që do vijë mami yt nesër”. Pastaj kemi George Clooney-n dhe Amal-in që kanë vetëm dashuri, buzëqeshje dhe asnjë “ore ç’pate ti?”.
Po mirë, si ia dalin? Ndoshta sekreti është që jetojnë në vila me pamje piktoreske drejt një liqeni përrallor, kanë 4 dado që kujdesen për fëmijët, nuk kanë kredi, nuk kanë ndonjë kushëri që thotë “a mund të fle te ju këtë fundjavë?” dhe përtej të gjithave, kanë miliona dollarë.
Po mos u mërzisni, se shkenca është në anën tonë. Po, ka studime – të vërteta – që thonë se zënkat në çift janë të shëndetshme. Jepini! Po po, sipas tyre, një debat herë pas here është shenjë që ju intereson ende njëri-tjetrit.
Një studim tjetër madje arriti në përfundimin se çiftet që shmangin debatet, për hir të “qetësisë”, në fakt janë më të pakënaqur.
Pra, ndoshta Clooney-t janë përjashtim, ose kanë një PR shumë të mirë. Ose thjesht nuk janë si ne, pjesa tjetër e botës që nuk hamë mëngjes në Como, nuk kemi dado dhe nuk jetojmë një jetë si nëpër filma.
P.S. Thuhet edhe që George & Amal Clooney janë drejt një divorci (shumë të kushtueshëm);)