
Sot është shumë e vështirë të gjesh një person që nuk zotëron një telefon celular. Jemi të varur nga këto pajisje që nuk luajnë më vetëm rolin e një telefoni, por edhe të një kalendari, një axhende, një radioje, një loje elektronike dhe lista mund të mos mbarojë kurrë.
Megjithatë, lënia e telefonave celularë në vende të caktuara mund të jetë e rrezikshme për shëndetin tonë. Shumë studime e kanë lidhur rrezatimin e tyre me shfaqjen e kancerit të trurit, tumoreve dhe problemeve riprodhuese.
Në shtrat ose nën jastëk
Të flesh me telefonin nën jastëk është një ide e keqe për disa arsye. Njoftimet nuk ndalen natën. Drita nga ekrani mund të na zgjojë dhe të çojë në probleme afatgjata me gjumin. Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj dritës ndikon në prodhimin e melatoninës, hormonit të gjumit, i cili është shumë i rëndësishëm për pushimin tonë. Përveç kësaj, ekspozimi ndaj fushave elektromagnetike të krijuara nga telefonat celularë mund të shkaktojë dhimbje koke, ndërsa ka shumë raste shpërthimesh që kanë ndodhur në të gjithë botën për shkak të temperaturave të rritura që zhvillohen kur pajisjet mbulohen nën pëlhura për një kohë të gjatë.
Në xhep
Lëvizja më e zakonshme që bëjmë të gjithë. E fusim celularin në xhepin e pantallonave dhe vazhdojmë përpara. Mendojmë se në këtë mënyrë nuk do të humbasim asnjë njoftim apo mesazh. Megjithatë, sado logjike që mund të tingëllojë, ky veprim bën më shumë dëm sesa dobi. Rrezatimi i emetuar nga një telefon celular kur është në xhepin e pantallonave rritet ndjeshëm krahasuar me kur është në një çantë. Sipas ekspertëve, rrezatimi i telefonit celular mund të ndikojë në strukturën e ADN-së, të shkaktojë probleme me fertilitetin ose të kontribuojë në zhvillimin e tumoreve. Gjithashtu, mbajtja e telefonit celular pranë kofshëve dobëson kockat e legenit.
Në banjo
Nëse jeni mësuar ta merrni celularin me vete në banjo ose të dëgjoni muzikë ndërsa jeni në dush, mos e bëni më!
Bakteret në sipërfaqe, pavarësisht sa mirë i pastrojmë, "ngjiten" në pajisje dhe më pas transferohen në duart, fytyrën dhe rrobat tona. Ekspertët theksojnë se bakteret dhe mikrobet në tualet qëndrojnë në hapësirë për një kohë mjaft të gjatë, aq sa ngjiten lehtësisht në sipërfaqe të tjera.
Në vende shumë të ftohta ose shumë të nxehta
Nëse temperaturat e ambientit janë shumë të larta ose shumë të ulëta, është më mirë të mos e merrni telefonin celular me vete ose të paktën mbajeni në çantë. Luhatjet e temperaturës janë të rrezikshme për pajisjet elektronike. Tkurrja dhe zgjerimi i shkaktuar mund të çojë në probleme me funksionet e tij apo në shpërthime fatale.
Në prizë
Jo, ta lësh telefonin në karikim për orë të tëra nuk do të dëmtojë shëndetin tënd, por do të dëmtojë xhepin, telefonin dhe mjedisin. Është më mirë të mos e lësh telefonin duke u karikuar gjatë natës ose për shumë orë. Kjo mund të shkurtojë jetëgjatësinë dhe performancën e baterisë së telefonit. Gjithashtu kontribuon në rritjen e konsumit të energjisë dhe, rrjedhimisht, në faturën e energjisë elektrike.
Burimi: Marie Claire