
Nëse mendonim se historia e Baby-t (Jennifer Grey) dhe kërcimi legjendar me Johnny-n (Patrick Swayze) kishte mbetur përgjithmonë në vitet ’80, duket se e kemi gabim.
Pas gati katër dekadash, Jennifer Grey do të rikthehet zyrtarisht në vazhdimin e filmit “Dirty Dancing”, i cili pritet të nisë xhirimet më vonë gjatë këtij viti.

Lajmi u konfirmua nga Lionsgate, studioja amerikane e filmit dhe televizionit, më 27 janar, duke ndezur menjëherë nostalgjinë e fansave të filmit ikonik të vitit 1987. Grey do të rikthehet në rolin e Frances “Baby” Houseman, personazhi që e bëri atë një ikonë të kinemasë romantike, përkrah Patrick Swayze-t, i cili ndërroi jetë në vitin 2009.
“Roli i Baby-t ka pasur gjithmonë një vend shumë të veçantë në zemrën time, ashtu si edhe në zemrat e kaq shumë fansave ndër vite,” është shprehur aktorja 65-vjeçare.


Ajo shton se për një kohë të gjatë ka pyetur veten se ku mund të ishte Baby sot dhe si do të dukej jeta e saj, por vetëm tani është gjetur ekipi i duhur për ta vazhduar këtë histori.
Vazhdimi i “Dirty Dancing” do të prodhohet nga Nina Jacobson dhe Brad Simpson, të njohur për sukseset e tyre me “Hunger Games” dhe “Crazy Rich Asians”, ndërsa skenari do të shkruhet nga Kim Rosenstock. Xhirimet pritet të fillojnë brenda vitit 2026.
Producentja Jacobson e përshkruan “Dirty Dancing” si një nga ata filma të rrallë që mbetet po aq emocional dhe rebel edhe sot sa në momentin kur u publikua për herë të parë.
“Të rikthehemi në Kellerman’s (hoteli veror ku zhvillohet historia e filmit) për edhe një kërcim tjetër është një privilegj i vërtetë,” tha ajo.

Megjithatë, Grey ka qenë e qartë: filmi i ri nuk do të përpiqet të rikrijojë kiminë legjendare që ajo kishte me Swayze-n.
“Nuk mund të zëvendësosh askënd që ka ndërruar jetë dhe nuk mund të përpiqesh të përsërisësh diçka aq magjike. Thjesht krijon diçka ndryshe,” ka deklaruar ajo më herët.

A do të ketë sërish kërcime "dirty" ikonike, emocione dhe një Baby të re, më të pjekur? Një gjë është e sigurt: pritja për fansat e "Dirty Dancing" mund të marrë fund.