
Ronela Hajati ka postuar një shkrim në story-n e saj në Instagram, ku më shumë se e zemëruar, duket e lodhur dhe e zhgënjyer nga fjalët dhe komentet fyese të njerëzve ndaj saj:
"Sa herë më vjen të shkruaj, të shfryj duf, e sa herë të tjera më kujtohet kur e kam bërë dhe çdo gjë ka shkuar në vesh të shurdhët.
Ndonjëherë ndihem kaq e ngecur në të njëjtin cikël, i cili bëhet edhe më mbytës me 100 përgjegjësi që shtohen përditë; me një punë që sytë e pasionit dhe dashurisë për muzikën i ka zhytur në një gropë toksike komentesh të ndyra, por po aq të pavlera njëkohësisht, ndërkohë që duhet të këndosh e të gëzosh ata njerëz që shumica do murmurisnin ndër dhëmbë: 'Kush e ka këtë?', 'Ç’është bërë kjo kështu?', 'Operacionet', 'Lopë', 'Ç’i duket vetja?'."
Ajo vazhdoi më tej duke u shprehur e lënduar nga pandjeshmëria e fjalëve të të tjerëve, duke kujtuar rastet që i është dhënë mundësia të lërë Shqipërinë, por s'e ka bërë:
"Ndërkohë mund t’i kesh lotët në grykë, se ke fatura mbi shpinë, familje mbi shpinë, fëmijë që të presin, një dashuri që s’e ke më, prindër që kanë shpresat te ti, prindër të sëmurë, punë burrash që i kemi bërë që 20 vjeç pa mbështetjen e askujt.
E ndonjëherë, në këtë vend, edhe pse s’jam si të gjithë, më ka dhënë qindra e mijëra arsye ta lë e s’e lashë… vazhdoj e më dhemb pyetja: Pse jemi kaq të ligj, kaq shpesh?"
Në fund, Ronela mbylli me zhgënjim:
"E nëse sot duhet të jemi falenderues, përveç shëndetit, jemi bërë të falenderojmë Zotin që kemi zemër të mirë."