
Marrëdhëniet intime mes miqve, ajo që shpesh njihet si "shokë me benefite", vazhdojnë të jenë një temë e mbushur me paragjykime. Zakonisht mendohet se një hap i tillë ka vetëm dy përfundime: ose miqësia shkatërrohet përgjithmonë, ose dy njerëzit përfundojnë duke hyrë në një lidhje romantike “serioze”. Por sipas disa ekspertëve të marrëdhënieve, kjo nuk është domosdoshmërisht e vërtetë.
Terapistja e seksit Sarah Chotkowski propozon një këndvështrim ndryshe: ajo beson se, në rrethana të caktuara dhe me komunikim të hapur, intimiteti mes miqve mund të ekzistojë pa e prishur miqësinë dhe pa krijuar domosdoshmërisht një lidhje tradicionale. Sigurisht, ky nuk është një model që funksionon për të gjithë, por sipas saj, ia vlen të kuptohet përtej stigmës që e shoqëron.

Ekspertja e cituar
Sarah Chotkowski, LICSW, është themeluese e Pomegranate Institute, një praktikë private virtuale e terapisë seksuale për individë, çifte dhe marrëdhënie poliamoroze në Massachusetts.
Në fund të fundit, tërheqja ndaj një miku është shumë e zakonshme, thotë Chotkowski.
“Miqësitë e ngushta përmbajnë kujdes, dashuri dhe besim, shpesh për vite ose dekada. Të gjitha këto janë kushte të rëndësishme për seks të mirë. Miqtë tanë na mbështesin në momentet tona më të mira dhe nuk na gjykojnë (të paktën jo shumë) në momentet tona më të këqija. Në shumë mënyra, kjo është forma më e afërt me dashurinë pa kushte.”
Hapat e mëposhtëm për një seks të suksesshëm me miqtë vlejnë për këdo që mund ta shohë seksin “si një vazhdim natyral të kujdesit dhe kimisë që tashmë ekziston në marrëdhënie,” siç thotë Chotkowski. Nëse e gjen veten këtu, seksi me një mik mund të jetë zgjedhja e duhur për ty.

Hapi i parë: Bëj një bisedë të sinqertë me veten
Para se të bësh diçka drastike, ulu dhe fol me veten. Disa pyetje që Chotkowski sugjeron:
- Çfarë shpresoj realisht të marr nga kjo marrëdhënie?
- Çfarë jam i/e gatshëm/me të jap?
- A kam kufij që duhen ruajtur për të mbrojtur zemrën time, apo jam rehat t’i lë gjërat të rrjedhin më lirshëm?
Ajo sugjeron t’i shkruash përgjigjet e këtyre pyetjeve, si një marrëveshje me veten, që të mos tërhiqesh mbrapsht nëse pala tjetër propozon një dinamikë që nuk të përshtatet.
Hapi i dytë: Bëj një bisedë të sinqertë me mikun/en
Tani hyn në lojë miku/ja. Kjo është koha për të ndarë gjithçka që ke menduar, për të kuptuar nëse edhe ai/ajo ndjen të njëjtën tërheqje dhe dëshirë për ta çuar lidhjen më tej. Nëse ruajtja e miqësisë është e rëndësishme për ty, kjo bisedë duhet të bëhet privatisht dhe kur të dy jeni esëll, thotë Chotkowski.

Kjo pjesë mund të jetë e frikshme, por ki parasysh: ky person supozohet të të ketë shumë përzemër.
“Kërkon shumë guxim ta ekspozosh veten emocionalisht,” thotë ajo. “Nuk ka asgjë të turpshme të kërkosh atë që dëshiron, edhe nëse nuk merr rezultatin që pret. Askush nuk ka vdekur ndonjëherë nga turpi.”
Nëse ndjenjat janë reciproke, është koha të flisni për pritshmëritë dhe kufijtë:
- A po flini apo dilni me persona të tjerë?
- Cilat do të jenë praktikat tuaja të seksit të sigurt?
- A ka gjëra që i rezervoni vetëm për marrëdhënie serioze romantike?
- A ka aspekte të miqësisë që duhen pezulluar përkohësisht?
Hapi i tretë: Bëni seks
Këtu s’ka shumë për të shpjeguar.
Hapi i katërt: Vendos disa kufij të përkohshëm
Pas një lidhjeje seksuale me një mik/e, tregoni më shumë ndjeshmëri. Nëse synimi është të riktheheni në miqësi, ndoshta për një kohë shmangini takimet në mbrëmje ose bisedat për jetën tuaj romantike.

Hapi i pestë: Kujdesu për miqësinë edhe jashtë seksit
Nëse seksi funksionon dhe doni ta vazhdoni, sigurohuni që të ruani aktivitete që nuk lidhen me seksin. Takimet për miqësi dhe ato për seks duhen ndarë, që kalimi mbrapsht në miqësi të jetë më i lehtë nëse ndodh.
Hapi i gjashtë: Gjëra shtesë për t’u marrë parasysh
Testimet e rregullta për IST janë të panegociueshme. Gjithashtu, është e dobishme të keni një person neutral me të cilin mund të flisni, në rast se situata bëhet e ndërlikuar.
Kini parasysh: jeta është e gjatë dhe marrëdhëniet ndryshojnë. Nëse ju dhe miku/ja e keni vërtet xhan njëri-tjetrin, mund të përballoni më shumë sesa mendoni.
“Marrëdhëniet nuk kanë pse të ndjekin një formë të vetme për të qenë kuptimplota,” thotë Chotkowski. “Miqësitë platonike, marrëdhëniet romantike dhe edhe ato platonike me pak ‘erëza’ mund të jenë po aq të rëndësishme.”





