
Me rastin e dokumentarit “Victoria Beckham” që u shfaq së fundmi premierë në Netflix, Posh Spice ishte e ftuar në podcasti-in amerikan, Call Her Daddy. Prezantuesja e njohur, Alex Cooper, ka fituar famë për intervistat e saj të thelluara me të ftuara të profilit të lartë si Jane Fonda, Kim Kardashian, Kamala Harris.
Intervista me Victoria Beckham rezultoi një tjetër sukses, me fansat që shprehën entuziazëm në rrjetet sociale. Një bisedë që tregoi se pas imazhit të përsosur të saj, fshihet një grua që nuk ka frikë të flasë për dobësitë e veta.
Më poshtë janë katër pika nga intervista, që ia vlen t’i mbani mend.
1. Imazhi i trupit
Pas dekadash në qendër të vëmendjes, Victoria Beckham kujtoi periudhat kur mediat kritikonin pa pushim trupin e grave. Ajo përmendi kohën kur sapo kishte lindur fëmijën e saj të parë dhe pa një foto të vetën në shtyp me rrathë që tregonin zonat e trupit ku ende nuk kishte humbur peshën e shtatzënisë. Duke qenë se kishte tashmë një marrëdhënie të vështirë me trupin dhe ushqimin, ajo pranoi se një ekspozim i tillë e shtyu drejt një çrregullimi të të ngrënit.
Sot, ajo ka ndërtuar një marrëdhënie shumë më të shëndetshme me trupin e saj, duke u përqendruar te mirëqenia dhe jo thjesht te pamja. Beckham e pranon se është jashtëzakonisht e disiplinuar me ushtrimet dhe dietën.
Ajo tregoi gjithashtu se, ndërsa dikur bënte vetëm kardio për të djegur kalori, bashkëshorti i saj e ndihmoi të kalonte te stërvitjet me pesha. Si nënë e një vajze adoleshente, ajo është e vetëdijshme se bisedat për trupin dhe ushqimin janë të ndjeshme, por thekson rëndësinë e ekuilibrit, shëndetit dhe ushqyerjes së mirë.
View this post on Instagram
2. Mund të ndryshosh drejtim
Për ata që e kujtojnë si anëtare të Spice Girls, Victoria Beckham e sotme është pothuajse tjetër individ, dhe jo vetëm për stilin e saj. Nga një këngëtare pop, ajo u shndërrua në një biznesmene të suksesshme në botën e modës, pasion që e kishte që herët. Marka e saj tashmë njihet në nivel ndërkombëtar dhe prezanton koleksionet e saj në Javën e Modës në Paris, duke dëshmuar se nuk është thjesht “markë e një të famshmeje”, por një shtëpi mode me identitet dhe qëndrueshmëri.
Ajo na kujton se mund ta rigjesh veten në çdo moshë, pavarësisht detyrimeve familjare apo paragjykimeve rreth “kush je”. Për të ecur përpara, mbyll kapituj dhe hap të rinj që të përfaqësojnë më mirë, dhe mos ki frikë të rishpikësh veten.
3. Mos u bllokoni në stereotipe
Gjatë intervistës, Beckham foli shpesh për familjen dhe bashkëshortin e saj, duke theksuar rolin e rëndësishëm që ata kanë në jetën e saj. Në të njëjtën kohë, ajo është një grua e suksesshme që ka ndërtuar identitetin e vet profesional, përtej atij të “bashkëshortes së David Beckham”.
Ajo kujtoi periudhën kur njihej kryesisht si “gruaja që i pëlqente shumë David Beckham”, në kulmin e karrierës së tij, dhe tregoi se shpesh shkonte ta mbështeste atë në fushë me fëmijët.
“Unë jam feministe,” tha ajo, “por nga ana tjetër jam shumë e lumtur që jam atje duke mbështetur bashkëshortin tim dhe ai bën të njëjtën gjë për mua.”
Një frazë që përmbledh thelbin e feminizmit modern: të zgjedhësh vetë atë që të bën të lumtur.
View this post on Instagram
4. Mos kini frikë të kërkoni ndihmë
Victoria Beckham e përshkroi periudhën e çrregullimit të të ngrënit si një kohë të vetmuar. Për shumë vite, ajo nuk e ndau përvojën e saj me askënd, duke e privuar veten nga mundësia për të marrë mbështetje. Më vonë, kur nisi të ndërtonte shtëpinë e saj të modës, kërkoi udhëzime nga stilisti i njohur Roland Mouret. Disa vite më pas, gjatë vështirësive financiare në biznes, ajo i ndau shqetësimet me bashkëshortin e saj, i cili e mbështeti.
Sot, me markën e saj që po zgjerohet në fushën e kozmetikës dhe që ka fituar një identitet të fortë, Beckham dëshmon se kërkimi i ndihmës nuk është shenjë dobësie, por një akt vetëbesimi, shpesh thelbësor për të ecur përpara.
 
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                       