
Victoria Beckham, ish-anëtarja e grupit Spice Girls që sot njihet si një ndër stilistet më të suksesshme në botë, ka reflektuar për atë që e ka mbajtur të fortë martesën e saj 26-vjeçare me David Beckham.
Në intervistën e saj të fundit për Elle, të publikuar më 18 shtator, 51-vjeçarja foli për dashurinë dhe partneritetin që ndan me ish-futbollistin 50-vjeçar. Çifti është së bashku prej 28 vitesh dhe të martuar që prej vitit 1999, duke ndërtuar një familje me katër fëmijë: Brooklyn, Romeo, Cruz dhe vajzën e tyre të vogël, Harper.
“Shpesh në marrëdhënie ndodh që njëri i thotë tjetrit: ‘Ti ke ndryshuar’. Epo, sigurisht që kemi ndryshuar!”, tha Victoria.
“Nuk je i njëjti person kur je 20 vjeç, siç je kur bëhesh 50.”
Ajo thekson se çelësi i qëndrueshmërisë së marrëdhënies së tyre ka qenë përmirësimi dhe rritja së bashku me kalimin e kohës.
Victoria shtoi se David ka qenë gjithmonë një mbështetje e palëkundur, edhe në momentet kur ajo ndjehej e nënvlerësuar nga të tjerët.
“Ai besoi tek unë kur shumë të tjerë nuk e bënë. Ai investoi tek unë,” – tregoi ajo.
“Ka pasur momente kur isha objekt talljeje, kur njerëzit nuk e merrnin seriozisht biznesin tim, por David gjithmonë më besoi.”
Çifti u njoh për herë të parë në një ndeshje futbolli në vitin 1997. Pas një romance të shpejtë, David i propozoi në janar 1998, ndërsa djali i tyre i parë, Brooklyn, lindi në mars 1999, vetëm pak muaj para se ata të kurorëzonin dashurinë me martesë në korrik të atij viti.
Më 4 korrik 2025, David dhe Victoria festuan përvjetorin e 26-të të martesës.