
I pandehuri? Drama e ekzagjeruar ligjore e Kim Kardashian, “All’s Fair”. Prokuroria? Çdo kritik në Hollywood. Vendimi? Seriali do të ketë një sezon të dytë.
“All’s Fair” pritet të nisë xhirimet për sezonin e dytë në pranverën e vitit 2026, që do të thotë se Kardashian dhe pjesa tjetër e kastit kanë një pushim të shkurtër përpara se t’i rikthehen sërish gjyqit përpara trupës gjykuese të opinionit publik.
Pavarësisht komenteve "therëse" nga kritikët dhe një vlerësimi të mjerueshëm prej 3% në Rotten Tomatoes, “All’s Fair” rikthehet përsëri.

(Seriali më parë kishte një vlerësim katastrofik 0%, por u rrit me tre përqind.)
Megjithatë, kritikët le të thonë ç’të duan: seriali është një sukses i madh te shikuesit. Në fakt, është një nga hitet më të mëdha të Hulu deri më tani.
“All’s Fair” shënoi premierën më të madhe të një seriali të shkruar të Hulu Originals në tre vitet e fundit, duke mbledhur 3.2 milionë shikime globalisht në tre ditët e para në platformë.
Seriali ndjek Kardashian në rolin e Allura Grant, një avokate e fuqishme në Los Angeles që përballet me skandale si në sallën e gjyqit ashtu edhe në jetën personale, ndërsa drejton një firmë tërësisht femërore avokatesh divorci.

Në serial luajnë gjithashtu Naomi Watts, Glenn Close, Sarah Paulson, Niecy Nash-Betts dhe Teyana Taylor, nën produksionin e Ryan Murphy, krijuesit të “Glee” dhe “American Horror Story”.
Kritikat kanë qenë të ashpra
Angie Han nga The Hollywood Reporter e “dogji” serialin duke shkruar:
“Aktrimi i Kardashian, i ngurtë dhe pa shprehje, pa asnjë notë autentike, është pikërisht ajo që meriton edhe shkrimi, po aq i ngurtë dhe pa asnjë notë autentike.”
David Mack nga Slate e krahasoi aktrimin e Kardashian me “një copë muri gipsi” dhe “një kukull të mallkuar që po përjeton jetën për herë të parë”.

Megjithatë, Glenn Close mbrojti etikën e punës së Kardashian në një intervistë për Variety, duke thënë:
“Ajo që më surprizoi ishte serioziteti i Kim-it. Nuk vonohej kurrë. Ishte gjithmonë e përgatitur. Nuk pretendonte se ishte një aktore e madhe, por ishte mjaft e zgjuar për të pasur njerëz rreth vetes nga të cilët mund të mësonte. Sikur të kishte pasur ego të madhe, do kisha qenë e pakënaqur, por ajo nuk është e tillë.”

Nga ana e saj, Kardashian u tall po aq me kritikët duke ndarë kritikat negative dhe meme në Instagram, me mbishkrimin:
“E keni parë serialin më të vlerësuar të vitit!?”
