
Në një botë me filma kryevepra si “Bugonia” apo seriale fantastikë si “Sopranos”, kemi edhe “All’s Fair”, i cili është këtu për të na treguar se edhe në vitin 2025, ekzistojnë seriale të tmerrshme që të bëjnë të mendosh “çfarë dreqin pashë?!” pasi e mbyll televizorin.
Drama e re e regjisorit Ryan Murphy (për kontekst, regjisori i “American Horror Story” dhe sagës “Monster” me vrasës serialë si Jeffrey Dahmer dhe Ed Gein), sjell Kim Kardashian në rolin kryesor dhe o Zot, është thjesht kaos!
Një serial artificial, i sikletshëm, me aktrim të dobët, ku Kim kujdeset që të dalë bukur dhe e kururar në çdo plan dhe në njëfarë pike, drama kthehet në patetizëm, duke shkaktuar lot, por nga të qeshurat. Një aktrim i ngurtë që s’të jep asgjë, si sallata ruse që ka mbetur në frigorifer deri më 12 janar.

Për më shumë se 24 orë, “All’s Fair”, pati një vlerësim me 0% në Rotten Tomatoes. Për momentin, ka shkuar në 5%, por që edhe kaq shumë i ka!
Pse e them këtë?
Jo, s’jam ‘hater’, pavarësisht se shumë nga ju nuk përtoni të dërgoni një DM në Instagram-in e Anabel, për të më sharë kur them të vërtetat e mia bruto mbi filmat shqiptarë! Ky serial është i tmerrshëm që në gjenezë, me një skenar që duket sikur është shkruar çdo fjali nga fëmijë nga mosha 1-4 vjeç dhe është hedhur, për t’u lexuar dhe interpretuar në “All’s Fair”.
Seriali na tregon për jetën dhe përditshmërinë e një ekipi avokatësh divorcesh, të cilët janë kaq të pasur, në çdo skenë janë të veshur tmerr keq, nga një person që me shumë gjasa, i urren, mimika s’u lëviz fare dhe thonë fjali që s’transmetojnë asgjë, me ca sy të picërruar, sikur të jenë duke i lexuar diku, sepse s’kanë marrë as mundimin ta lexojnë se ç’është shkruar në skenar.
Edhe në fakt, më vjen shumë keq, sepse kasti ka super potencial! Në fakt, kasti është e vetmja arsye se pse rashë në kurthin e këtij seriali! Naomi Watts, Glenn Close, Sarah Paulson, Kate Berlant janë pjesë e kastit dhe oh Zot, sa gjynah!

Këta aktorë kaq të mirë që detyrohen të luajnë role kaq klishé, të shkruar keq, njëjtë si aktorë shumë të mirë shqiptarë që për çështje pagesash, detyrohen të marrin pjesë në filmat që të marrin 2 orë nga jeta. Interpretimi i Kim është thjesht i tmerrshëm dhe e gjora Sarah Paulson detyrohet të bëjë më shumë seç duhet për ta kompensuar zhgënjimin e drejtë të audiencës.
Kim ka gjithë kohës atë mimikën alla Melania Trump, e cila thjesht s’e mban mend ku të ka parë, se kështu, në përgjithësi, i dukesh shumë fytyrë e njohur.
Seriali, ndonëse është dramë (të paktën kështu shkruhet), është i gjithi një shaka patetike. Kostumografia është si një cirk në jetën reale, duke të bërë të pyesësh veten nëse po sheh një eksperiment social nga Balenciaga, apo një serial nga Ryan Murphy. Për shembull, në një episod, Sarah mban një fjongo gjigante, sikur në të janë bashkuar gjithë copat e botës në qafën e saj.

Kot, po të jap edhe një referencë si Beyoncé tek albumi "Lemonade".

Mua ma do zemra të jetë një parodi, sepse nuk besoj se një serial mund të bëhet kaq keq! Nejse, ti duhet ta shohësh, sepse është aq i keq sa të bën kurioz ta shohësh episodin tjetër, për të marrë vesh deri ku mund të shkojë absurdi. Më beso, shumë më thellë se ç’mendon ti!