
Ekziston nje teori që thotë se të gjitha vajzat njohin gjatë jetës 5 burra të ndryshëm. Secili do të luajë një rol unik që na shënon dhe na formëson. Këta burra nuk janë gjithmonë zgjedhje të vetëdijshme, por janë mësime të gjalla mbi dashurinë, veten dhe atë që duam (apo nuk duam) nga jeta.
Me ndonjërin prej tyre mund të bëjmë hapin e madh, një martesë, një bashkëjetesë, një “përgjithmonë” që s’zgjat shumë. Herë të tjera, i lëmë pas pa kthyer kokën. E më në fund, kur mbledhim copat e vetes, takojmë të gjashtin, atë që arrin pasi të tjerët na kanë mësuar gjithçka që duhej të dinim.
1. Djali i keq që s’duhet dashuruar, por e bëjmë gjithsesi
E njohim që në shkollë, ai që mungonte në orët e mësimit, pinte cigare pas portës dhe s’tregonte kujt i shkruante në letra. Si të rritura, ai bëhet mashtruesi simpatik, "biznesmeni" i dyshimtë, ndoshta edhe mafiozi që shfaqet natën me makinën luksoze. Na tërheq sepse është i ashpër, misterioz, i guximshëm. Por më pas kuptojmë: bukuria e errët e ka një çmim dhe ne nuk duam të ndajmë jetën me dikë që jeton në kurriz të të tjerëve. Në fund të fundit, ligësia s’është kurrë seksi për shumë gjatë.
2. Ai shumë i pashëm, por vetëm aq
Të gjithë burrat që takojmë mund të jenë tërheqës në mënyrën e tyre, por njëri do të jetë ndryshe, pamja perfekte, si djaloshi nga reklamat. Mund të jetë komshiu që çmend lagjen, apo edhe burri që Vogue e shpall më të bukurin në botë. Me të, shpesh s’na intereson brendësia, mjafton të na e kënaq syrin. Por me kohën kuptojmë se bukuria pa përmbajtje lodh. Jo sepse ai është i bukur, por sepse shumë të bukur mendojnë se s’u duhet të përpiqen më shumë. Dhe jeta nuk është një vitrinë. Nuk dashurohet një six-pack. Dashurohet një njeri.
3. I pasuri
Një ditë, në jetën tonë shfaqet ai, burri që fiton më shumë se çdo tjetër që kemi njohur. Jo gjithmonë e duam për paratë, por të tjerët mendojnë kështu. Edhe ai vetë ndoshta e dyshon. Kjo na bezdis. Nuk është turp të duash stabilitet, por pasuria e tepërt shpesh sjell arrogancë. Ai flet shumë për veten, është rrallë aty, dhe shpesh lë një boshllëk që as vila, as pushimet luksoze nuk e mbushin. Disa gra martohen me të dhe e shijojnë. Të tjerat ikin, përpara se të fillojnë të dashurojnë pastruesin e pishinës.
4. Heroi
Ky është ai burrë që të gjithë e respektojnë, mjek, avokat, pilot, njeri me karrierë dhe reputacion. Ai duket ideal. I arsimuar, i sjellshëm, i qartë. Me të duket sikur mund të ndërtojmë një të ardhme të qëndrueshme. Ndoshta edhe martohemi. Por më pas, kur ndihesh e sigurt, del në pah një detaj i vogël që prish gjithçka, nëna e tij që të urdhëron, apo ai që kërkon një grua që të lajë enët dhe të heshtë. Edhe heronjtë kanë hijet e tyre.
5. Dashuria e madhe
Dashuria e madhe nuk është perfekte. As logjike. Ndonjëherë as e shëndetshme. Është ajo ndjesi që vjen nga askund dhe të pushton plotësisht. Nuk e meriton ndoshta. Nuk të respekton sa duhet. Por ti e do, pa kushte, pa masë. Kjo dashuri është si një zjarr që të djeg dhe s’të lejon të largohesh. Disa martohen me të dhe vuajnë pafund. Të tjerë s’e harrojnë kurrë, edhe kur s’janë më bashkë. Dashuria e madhe nuk ka formë, mund të jetë kamarieri, artisti, politikani apo burri i thjeshtë i lagjes. E vetmja gjë e sigurt është se është e verbër. Dhe, në shumë raste, shkatërruese.
Dhe pastaj vjen i gjashti!
Pas gjithë këtyre burrave, ndodh që të gjejmë dikë ndryshe. Jo perfekt, jo i pasur, as i famshëm, ndoshta as më i bukuri. Por është ai që vjen kur ti je e qartë me veten. Kur e di çfarë nuk do. Kur nuk bëhesh më pjesë e lojërave. Ai është njeriu me të cilin nuk ndjen as më pak, as më shumë, por thjesht në paqe.
Sepse, në fund, çdo grua e di çfarë meriton, çfarë kërkon dhe çfarë i nevojitet. Dhe kur është gati, e gjen.