
Prindërimi është ndoshta një nga gjërat më të bukura dhe më rraskapitëse njëkohësisht. Ndonjëherë, përkundër gjithë dashurisë dhe përkushtimit që i jep fëmijës tënd, mund të ndihesh sikur nuk po bën aq sa duhet.
Por e vërteta është që fëmijët flasin, ndonjëherë jo me fjalë, por me mënyrën si sillen. Dhe kur i lexon këto sinjale të vogla, kupton që po, ndoshta je duke bërë një punë të shkëlqyer.
1. Të kërkon kur ndihet keq
Nëse fëmija yt vjen drejt e tek ti kur është i/e mërzitur, do të thotë që ti je vendi i tij/saj i sigurt. Qoftë duke të thirrur, qoftë duke u strukur në prehrin tënd në heshtje, ai/ajo e di që ti je personi që mund ta qetësojë. Dhe kjo është një dhuratë që jo çdo fëmijë e ka.
Studimet tregojnë se fëmijët e vegjël kërkojnë më shumë kontakt me kujdestarët që i perceptojnë si më “të afërt” emocionalisht.
2. Të rrëfen gjëra nga jeta e vet
Kur një fëmijë vjen vetë për të të treguar për një mik të ri, një dramë në shkollë apo thjesht për të bërë muhabet kot, është shenjë se ndihen emocionalisht të sigurt me ty. Fëmijët që nuk ndihen rehat zakonisht heshtin ose flasin vetëm kur detyrohen.
Nëse ai/ajo të rrëfehet pa frikë, pa filtra dhe pa skrupuj, ke krijuar një ambient ku fëmija yt mund të jetë vetvetja.
3. Të kërkon ndihmë
Qoftë për një projekt në shkollë apo për të zgjidhur një hall emocional, kur fëmija vjen tek ti për mendim ose ndihmë, e di që je personi i duhur për të.
Ai/Ajo beson se do e ndihmosh pa e gjykuar. Sepse ka prindër që nuk krijojnë atë ndjesi sigurie dhe fëmijët e tyre mësohen të jenë tërësisht të pavarur, edhe kur s’janë gati për këtë.
4. Të përfshin në botën e vet
Kur të fton të shihni një film bashkë, të thotë “hajde shikoje këtë video me mua” apo të kërkon të luani, nuk është rastësi. Do të ndajë me ty atë që i pëlqen, sepse e sheh marrëdhënien tuaj si një hapësirë të shëndetshme dhe të ngrohtë.
Mos e nënvlerëso një ftesë për të parë të njëjtin film me Barbie për herë të katërt, është ftesë për intimitet.
5. Të kundërshton pa frikë
Po, edhe ky është kompliment! Nëse të thotë “nuk më pëlqen kjo që the” ose “nuk jam dakord” dhe e bën me qetësi e respekt, kjo do të thotë që ndihet mjaftueshëm i/e sigurt për të qenë i/e sinqertë. Nuk ka frikë se do të hakmerresh apo se do e injorosh.
Në një familje ku ka komunikim, ndodhin edhe diskutime. Dhe kjo është një gjë shumë e mirë.
6. Është “fëmijë i dhomës së ndenjjes”, jo vetëm i dhomës së vet
Nëse fëmija yt rri rrotull, luan në korridor, vjen e ulet pranë teje pa ndonjë arsye të veçantë, është sepse do të jetë pranë. Nëse do të qëndronte vetëm në dhomën e vet, do të thotë që nuk ndihet rehat ose i/e mirëpritur në ambientet “e përbashkëta”.
Por kur ai/ajo ndihet si në shtëpi në çdo cep të saj dhe pranë teje, kjo është një tjetër dëshmi që ti je zonë e sigurt e tij/saj, tani dhe për gjithë jetën.
Burimi: Your Tango