
Shumë prej nesh e dinë që përdorimi i kremit me SPF në verë është i domosdoshëm për të ulur rrezikun e djegies nga dielli dhe kancerit të lëkurës. Por a duhet ta përdorim edhe gjatë dimrit, kur qielli është i vrenjtur dhe dielli duket paksa i largët?
Çështja është e diskutueshme. Nga njëra anë, ekspertët sugjerojnë përdorimin e SPF gjatë gjithë vitit për të parandaluar rrudhat. Nga ana tjetër, na këshillojnë të mos përdorim krem dielli në ditët me re, për të mos penguar prodhimin e vitaminës D. Pra, cila është më e drejtë?

Dermatologët shpjegojnë se rrezet UVB (ato që shkaktojnë djegie dhe rrisin rrezikun e kancerit të lëkurës) nuk janë aq të forta midis tetorit dhe marsit. “Rreziku më i ulët i djegies është gjatë dimrit, sepse më pak energji nga UVB arrin te ne nga dielli,” thotë Dr. Mary Sommerlad, dermatologe.
Nga ana tjetër, rrezet UVA janë të pranishme gjatë gjithë vitit. “UVA depërton thellë në lëkurë, duke shkaktuar plakje të parakohshme, njolla dhe dëmtim të kolagjenit dhe më kryesorja, depërton edhe përmes reve dhe dritareve,” thotë dermatologia Dr. Ophelia Veraitch.
Prandaj, ekspertët rekomandojnë përdorimin e kremit me SPF edhe kur moti është i ftohtë dhe i vrenjtur. “Ju duhet gjithashtu një krem me spektër të gjerë në dimër, sidomos nëse përdorni retinol, eksfoliantë ose keni bërë trajtime lazer,” shton Dr. Sommerlad.

A ndikon SPF në prodhimin e vitaminës D gjatë dimrit?
Është e vërtetë që 90% e vitaminës D të absorbueshme vjen nga rrezet UVB të diellit. Por studimet tregojnë se përdorimi i SPF nuk e ndalon prodhimin e vitaminës D. Edhe me SPF të lartë, disa rreze UV arrijnë te lëkura. Për shembull, SPF 15 mbron 93% të rrezeve UVB, SPF 30 mbron 97%, dhe SPF 50 bllokon rreth 98%.
Ekspertët thonë se marrja e vitaminës D përmes suplementeve është po aq efektive sa ekspozimi në diell. Një dietë e pasur me të verdhë veze, peshk të yndyrshëm si salmoni dhe produkte të fortifikuara me vitaminë D gjithashtu ndihmojnë.

SPF 30 apo SPF 50 në dimër?
Zgjedhja varet nga lloji i lëkurës, shqetësimet dhe historiku shëndetësor. SPF mbron nga rrezet UVB, por për dimrin fokusi duhet të jetë te mbrojtja nga UVA, që dëmton kolagjenin dhe shkakton hiperpigmentim.





