
Me shumë gjasa e keni me merak organizimin në disa zona të kuzhinës, përfshirë banakun dhe sirtarët e mbushur me gjithçka. Por a i keni bërë së fundmi një pastrim të mirë frigoriferit? Një frigorifer i rrëmujshëm është problematik për disa arsye, çon në blerje të dyfishta dhe mund të bëhet terren për myk dhe baktere.
Ndërsa mbajtja e frigoriferit të mbushur dhe gatimi i ushqimit të mjaftueshëm për ta pasur të gatshëm për disa ditë mund të kursejë kohë, lënia e disa ushqimeve për shumë gjatë mund të jetë potencialisht e rrezikshme. Disa produkte që duhen hedhur janë të dukshme, sepse shfaqin shenja të qarta si myku. Por të tjera mund të zhvillojnë baktere që nuk mund t’i shihni, shijoni apo nuhatni.
Ja cilat janë disa prej tyre:
1. Mbetje ushqimi prej më shumë se 4–5 ditësh

Mos i mbani mbetjet e një vakti për më shumë se katër ditë. Bakteri Listeria mund të jetë i pranishëm në mbetjet e ushqimit. Ndryshe nga myku, i cili është i lehtë për t’u dalluar, listeria mund të zhvillohet edhe kur nuk mund ta shihni apo nuhatni.
Përveç kësaj, do të lironi hapësirë në frigorifer. Një ide e mirë është edhe të etiketoni ushqimin e mbetur me përmbajtjen dhe datën e përgatitjes.
2. Kavanozë të hapur me salca

Pasi hapni një salcë të ambalazhuar, data e skandencës që vlen për një kavanoz të pahapur nuk është më e vlefshme.
Myku i dukshëm është një tregues që salca është prishur, por kini parasysh se baktere që nuk shihen mund të zhvillohen brenda kavanozit, veçanërisht nëse futni vazhdimisht lugë brenda, duke futur ajër. Shumica e kavanozëve të hapur është mirë të trajtohen si produkte që duhen përdorur brenda një ose dy javësh, në varësi të ushqimit.
3. Salca që kanë kaluar afatin e skadencës

Hidhni çdo salcë që ka myk ose që ka kaluar afatin e përdorimit. Kur salcat e kalojnë skadencën e tyre, rrallë përdoren; hedhja e tyre liron raftet e derës së frigoriferit, gjë që parandalon blerjet e dyfishta dhe nxit blerje më të menduara.
Kaloni një nga një shishet e salcave dhe kontrolloni datat e skadencës, si edhe shenjat e mykut. Kur myku shfaqet në sipërfaqen e një salce, e gjithë përmbajtja ka shumë gjasa të jetë e kontaminuar për shkak të përhapjes së rrënjëve mikroskopike.
4. Produkte të blera për një recetë të posaçme

Një tjetër kategori gjërash që gjenden shpesh në frigorifer janë produktet që i blejmë për një recetë specifike, nëse e keni përdorur një herë dhe nuk e keni prekur më, është koha ta hiqni qafe.
Qoftë barishte për të cilat nuk keni përdorim tjetër apo një sasi e vogël e mbetur e një përbërësi, ndiqni këshillën e mësipërme dhe hiqni dorë prej tyre. Të jeni në gjendje të shihni çfarë keni dhe të mbani vetëm gjëra që e dini se do t’i përdorni është thelbësore.
5. Ushqim i porositur nga jashtë

Ushqimi i porositur duhet të hidhet nëse nuk është konsumuar brenda tre ditësh, pasi ka qëndruar tashmë në zonën e rrezikshme të temperaturës përpara se të futet në frigorifer.
6. Oriz, drithëra dhe makarona të gatuara më të vjetra se 4 ditë

Shumë njerëz mendojnë se orizi i gatuar është një ushqim kaq i thjeshtë sa duhet të zgjasë gjatë në frigorifer, por përkundrazi! Rekomandohet ta hidhni pas tre deri në katër ditësh, ose ta ruani në ngrirje nëse e dini se nuk do ta përdorni brenda këtij afati.
E njëjta gjë vlen edhe për drithërat dhe makaronat e gatuara. Këto ushqime të gatuara mund të bëhen të pasigurta dhe të kontaminohen me toksinën Bacillus cereus, e cila nuk shkatërrohet gjatë ringrohjes.
7. Mishrat e përpunuar

Mishrat e përpunuar dhe suxhukët janë gjithashtu shumë të ndjeshëm ndaj kontaminimit me listeria, ndaj duhen konsumuar brenda afatit prej katër deri në pesë ditësh. Kontrolloni sirtarin e mishrave dhe hidhni çdo gjë që ka qëndruar më gjatë, ka teksturë të rrëshqitshme, erë të keqe, ngjyrë të ndryshuar ose ka kaluar afatin pesë-ditor.
8. Djathëra të butë që shfaqin shenja myku

Djathërat e butë si krem djathi, mozzarella dhe ricotta mbajnë lagështi, ndaj myku dhe bakteret përhapen shumë shpejt në to. Nëse shihni edhe shenjat më të vogla të mykut në këto djathëra, hidhini menjëherë. Duhet të hidhni të gjithë produktin, jo vetëm pjesën me myk!
9. Fruta deti që kanë qëndruar për ditë të tëra

Me qëllime të mira për efikasitet apo përgatitje vaktesh, njerëzit shpesh blejnë peshk ose fruta deti dhe më pas i lënë në frigorifer për ditë të tëra. Jo vetëm që mund të zhvillojnë një erë të rëndë që e bën gjithë frigoriferin të kundërmojë, por ngrënia e tyre pas disa ditësh mund t’ju sëmurë. Frutat e freskëta të detit duhet të gatuhen po atë ditë ose, maksimumi, ditën tjetër.
10. Qumësht i skaduar

Nëse keni një enë qumështi të skaduar në frigorifer, hidheni menjëherë, pavarësisht nëse është hapur apo jo. Produktet e bulmetit mund të jenë të pasigurta edhe përpara se të shfaqen shenja të dukshme si era e thartirës.



