Shopping now!

Shqiptarja me 500 palë këpucë që çmendi Instagramin

8 Maj 2014

Shqiptarja me 500 palë këpucë që çmendi Instagramin

Të gjithë këtë famë, 27-vjeçarja e @thestilettomeup e ka nga këpucët. Çdo ditë në instagram ajo tregon blerjet më të reja, që kryesisht janë të markës Louboutin. Këpucët dhe sandalet e saj të lënë pa gojë. Rreth 400,000 dollarë të shpenzuara për to dhe gati 500 të stivuara me rregull në garderobën plot dritë në shtëpinë e saj të madhe në Amerikë. 60% të këpucëve ajo nuk I ka veshur ende. Por nuk e ka problem. Për vajzën me origjinë nga Berati, këpuca është një vepër arti dhe ajo një koleksioniste e denjë.

Si u largove drejt Amerikës?
Familja ime ka dashur gjithmonëë që unë të studioj jashtë, por nuk kam ikur me Green Card apo vizë studenti, absolutisht. Kam ikur si klandestine. Udhëtimi drejt Amerikës ka ndodhur kur isha gjimnaziste dhe kam udhëtuar përmes Kanadasë në bagazhin e një makine. Ka qënë eksperiencë shumë e vështirë në fakt. Pasi shkova atje m'u dha mundësia të nisja studimet për biznes në University of Southern California, në Los Angeles.

Kur ishe me studime si ia dilje të blije këpucë të shtrenjta?
Shiko, unë nisa të punoj si Affiliate Marketing në kohën që studioja. Kisha një punë shumë të mirë, arrija të paguhesha deri në 250 mijë dollarë në vit nga komisionet që merrja. Ndërkohë jetoja vetëm dhe kështu mundesha t'i plotësoja dëshirat vetes sime. Në atë periudhë u njoha edhe me bashkëshortin tim, Aktualisht jam bërë nënë e një djali, i cili është vetëm 5 muajsh dhe jam shkëputur nga puna pasi për momentin jam nënë me kohë të plotë.

Ti ke më shumë se 218 mijë ndjekës në Instagram, sa kohë ke që e ke hapur thestilettomeup?
Për herë të parë Instagramin e kam hapur vjet në verë thjesht për qejf si çdo vajzë. Kisha foto me veshjet e mia këpucët, të përditshmet. Pastaj filluan të më ndiqnin shumë njerëz dhe të më sugjeronin tek miqtë e tyre dhe për gati një vit arrita diku te 250 mijë ndjekës. Por e keqja e të pasurit famë në internet është se njerëzit shkruajnë lloj-lloj komentesh apo të pavërtetash. Fillimisht i merrja me sportivitet, por kur ngela shtatzënë për shkak edhe të ndjeshmërisë së atyre muajve, vendosa t'a mbyllja faqen, pasi nuk doja të kisha shqetësime të kësaj natyre. Me lindjen e djalit, në dhjetor rihapa një tjetër llogari, më tepër për miqtë e mi dhe për djalin. Nga dhjetori deri tani, pra për 4 muaj, kam mundur të arrij numrin e mëparshëm të ndjekësve.  

Si nisi fiksim yt për këpucët?
Këpucët më kanë pëlqyer gjithmonë që kur kam qënë e vogël. Mbaj mend kur kam qënë në Qëndrën Kulturore të fëmijëve, kur isha 10 vjeç, isha në balet dhe që aty kam veshur taka.Por nisa t'i koleksionoj këpucët në shkollë të lartë dhe madje i ruaj ende disa palë.

Sa këpucë ke?
Kam 500 palë, shumicën (60%) të paveshura ende.

Dhe blen ende?
Po, sa bleva një palë tani që isha në Francë.

Janë të gjitha të shtrenjta, marka të njohura apo edhe me çmime normale.
Unë blej vetëm krijime të dizajnërve. Normalisht që në fillim e kam nisur duke blerë këpucë me çmime normale marka si Aldo, Steve Madden, Bebe apo Marciano.

Pret uljet kur blen këpucët ?
I blej direkt sa dalin, nuk pres skontot.

Të ka ndodhur ndonjë incident me takat e tua të dashura?
Po (qesh). Me kujtohet në terminalin e një aeroporti kam qënë së bashku më bashkëshortin dhe po diskutoja sesi më duheshin një palë këpucë të mira portokalli. Ndërkohë kisha të veshura një palë këpucë Aldo portokalli dhe bashkëshorti më thotë "Po ja i ke këto që ke veshur . Shumë mirë janë.”  Sa bëj 2 hapa, m’u thye taka. Nuk e desha veten. Se imagjino, të jesh e famshme për këpucë dhe të të thyhet taka. Jeremy qeshi dhe më tha: “Tani e kuptoj pse janë më të mira ato këpucët e shtrenjta që preferon ti.”

Disajneri yt i preferuar kush është?
Christian Louboutin. Kam 150 palë këpucë të tij. Louboutin është i pari dizajner që ka mundur të kaloj kufijtë e normales me krijimet e tij, ndaj është i preferuari im. Madje, si për rastësi jemi të dy bricjapë dhe kemi lindur në të njëjtën ditë, 7 janar.

A nuk të dhëmbin këmbët?
Jo fare. Fundja me makinë lëviz, nuk është se do bëj vrap në maratonë.

Ku ka qënë vendi më i çuditshëm që ke qënë me taka?
Në shkollë të lartë unë kujdesesha shumë për veten. Përdorja biçikletën dhe nëse shokët e mi e ngisnin atë me atlete, unë e ngisja me taka. Sa herë më shihnin. me filmonin. më bënin foto dhe më thoshin "Ti je e çmendur"

Këpuca më e shtrenjtë?
Këpuca e parë më e shtrenjtë është Louboutin 7000$ dhe ka një histori më vete. Me një mikeshën time shkojnë të luajnë Black Jack 21 dhe aty gjatë lojës fitova 8 mijë $ e kështu shkova me vrap të blija këpucët Louboutin.

Këpuca më e lirë që e do shumë?
Një palë sandale të sheshta që kushtojnë 79 dollarë.

Çfarë është atletja për ty?
E njoh atleten kam 4 palë dhe ato Louboutin me gura (qesh).

Sa ke shpenzuar në total për koleksionin tënd?
Që kam nisur të blej këpucë shumë shpesh, u bënë 9 vjet dhe ndoshta deri tani kam shpenzuar diku te 400 mijë $.

Në rast lufte supozojmë se do të duhej t'i shisje të gjitha, çdo bëje? Cilën pale do mbaje?
Asnjëherë! Ato janë koleksion. Shumë njerez mund të mendojnë se ato janë para të hedhura kot por për mua nuk është e tille. Për mua ato janë koleksion sepse nuk janë këpucë dosido dhe u rritet vlera me kalimin e viteve. Disa më thonë që pse blej aq shumë, kur aty janë. Por në fakt, e bukura e këpucëve disajner është se dalin vetëm një sezon dhe kaq, nuk dalin më.

Për shembull Louboutin, Giuseppe Zanotti ose Sergio Rossi, kur prodhojnë një këpucë e bëjnë me emër dhe nuk del më , del vetëm në atë vit. Edhe nëse riprodhohet, prodhohet me takë tjetër ose me ngjyrë tjetër kështu që nuk e merr dot më atë këpucë që ti do. Kështu që në të ardhmen -edhe sikur të dua që se bëj dot kurrë - nuk do gjenden më, ndaj do i rritet vlera dhe do shiten shumë shtrenjtë.

Shpenzon edhe për veshjet kaq shumë?
Jo, për veshjet nuk jam e fiksuar, maninë e kam vetëm për këpucët të dizajnerve. Kam edhe veshje, fustane të shtrenjta, por më shumë më pëlqej të kombinoj të shtrenjtën me të lirën në veshjen time

Dhurata merr vetëm këpucë?
Në shumicën e rasteve po, por ndodh që marr edhe rroba ose çanta të cilat nuk i kam shumë qejf, sepse edhe me një çantë jam rehat.

Bashkëshorti yt amerikan çfarë mendon për këtë fiksimin tënd?
Jeremy është njeri që kujdeset shumë për veten ndaj më kupton. Në fillimet e njohjes sonë unë ia kam paraprirë që jam e fiksuar pas këpucëve dhe ai e ka pranuar. Ai vetë më ka blerë shumë këpucë.

Ia dikton ti çfarë këpuce do apo zgjedh ai pa të marr mendim?
Në fillim kur doja ndonjë palë këpucë i thoja "Shiko, nëse po mendon të më dhurosh ndonjë palë këpucë do të doja një palë nga këto dhe i bëja një listë dëshirash. Tani zgjedh vetë pasi e di shumë mirë edhe guston time çfarë lloj i preferoj unë.”

Të njohën në Tiranë kur erdhe?
Nuk e kam ditur që më njihnin, por jam çuditur kur më kanë shkruajtur kur erdha këtë here, pasi herët e tjera nuk kam pasur këtë vëmëndje.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dimë që njerëzit nuk janë shumë të dhënë pas markës. E vërtetë?
Kjo varet ku jeton. Për shembull në Los Angeles, ku kam jetuar më parë, për rreth 10 vjet, ishte paradë mode dhe ti "detyroheshe" të visheshe dhe të mbaheshe. E njëjta gjë në Majami apo Neë York. Këtu ku jetoj tani është një vend më familjar dhe nuk është njësoj si në shtetet e tjera.

Për çfarë do të shërbej gjithë kjo reklamë? Cfarë synon tani?
Ajo çka kam ëndërruar të bëj është të hap linjën time. Por së fundmi planet kanë ndryshuar. Që kur kam sjellë në jetë djalin, Gio, jeta ime ka ndryshuar. Familja ime është gjëja më e rëndësishme që unë kam.

Ndaj tani mendoj të hap një tjetër biznes. Do të hap një SPA për fëmijë dhe më pas një dyqan me rroba fëmijësh me çmime normale. jo domosdoshmërisht marka të shtrenjta sepse jo të gjithë kanë mundësi t'i blejnë ato.

Ti je person që ke të ardhura të mira, ke bërë ndonjëherë bamirësi?
Po, disa herë. Për shembull, përpara disa kohësh krijuam një grup me fansat e mi dhe mblodhën në pak javë diku te 2300$ për t’ja dhuruar një instituti që merrej me studimin e kancerit të gjirit tek femrat. Një rast tjetër ka qënë një vajzë e sëmurë me kancer dhe unë i dhurova asaj një palë këpucë Louboutin. Një vajze tjetër i kam dhuruar një fustan që e bleva enkas për të për mbrëmjen e saj të maturës. 

Por siç themi ne keq të bësh keq të mos bësh. Nisa të merrja shumë mesazhe njerëz që abuzuan me këto donacione të miat duke më shkruar që ti ndihmoja (shumica prej të cilëve nuk kishin nevojë, thjesht donin të përfitonin) pastaj shumë të tjerë komentonin pse dhe kaq pak , po e bën për sy e faqe etj. dhe kështu unë hoqa dorë nga donacionet e bëra publike.

Unë dhe bashkëshorti duke qënë se kemi mundësi ekonomike bëjmë donacione anonime kur e shohim të nevojshme. Sot ke, nesër nuk ke. Jetës nuk i dihet asnjëherë, ndaj nëse ke mundësi bëje sepse bota rrotullohet.