Chrissy Teigen mund të duket si një grua shumë e lumtur, që i ka të gjitha. Ka bashkëshortin ideal që shkruan këngë për të- John Legend- e këndon “All of me” me aq shumë ndjenjë, sepse ia ka dedikuar asaj. Është një nga supermodelet më të paguara në botë, autore e një libri shumë të suksesshëm gatimi, por mbi të gjitha, është nëna e një vajze “të përsosur”- siç e quan- vogëlushes Luna. E megjithatë, ishte e palumtur.
Këtë e rrëfeu vetë Chrissy në një ese për revistën “Glamour”, publikuar sot, ku pranon për herë të parë se ka vuajtur nga depresioni i paslindjes.
“I kisha të gjitha ato që më duheshin për të qenë e lumtur. Por prapë, pjesën më të madhe të vitit që shkoi, isha e palumtur. Ajo që të gjithë e dinin përveç meje (deri në dhjetor) është se unë vuaja nga depresioni pas lindjes.”, tregon Teigen.
Luna erdhi në jetë më 17 prill, dhe ishte dhurata më e mrekullueshme për babain John dhe mamanë Chrissy.
“Luna është në një farë mënyre krejt si unë, krejt si John dhe krejt vetja. E adhuroj.”
Ndjesia e parë e pazakontë për të ishte menjëherë pas lindjes së vajzës. Chrissy shpjegon se gjatë gjithë shtatzënisë e kishte përfytyruar sesi mund të ishte fëmija i saj i parë, por vetëm kur e kishte marrë më në fund në krahët e saj, e kishte kuptuar ç’do të thotë të kesh një fëmijë që ka dalë nga trupi yt, që ka gjakun tënd, që është dashuri e dashurisë tënde.
“E vura në gjirin tim. Më në fund ia pashë fytyrën! Isha kaq e lumtur. Dhe kaq e rraskapitur.”
Me t’u kthyer në shtëpinë e tyre, që asokohe ishte një banesë e përkohshme sa të ndërtohej shtëpia që kishin blerë, filloi të ndiente paqëndrueshmëri. Trishtim, shkëputje emocionale: këto Chrissy i shpjegonte me faktin se nuk ishte në rrethana të pazakonta. I thoshte vetes se pasi të shpërnguleshin në shtëpinë e re, në shtëpinë e tyre, do të kalonte e gjitha.
Kur iu kthye daljeve publike, edhe pse në prapaskenë i kishte të gjitha kushtet, nuk ndihej më si më parë.
“Të ngrihesha nga krevati ishte kaq e vështirë. Shpina më therte; shpatullat dhe kyçet më dhimbnin. Nuk kisha oreks. Mund të rrija dy ditë pa futur gjë në gojë, dhe ju e keni parasysh sa shumë e dua ushqimin. Dhe diçka që më shqetësonte ishte se tregohesha shumë e prerë me njerëzit.”
“Isha në dhomën e ndërrimit duke bërë grimin dhe flokët dhe njerëzit më pyesnin: “Chrissy, e di tekstin e këngës që do të këndosh?”. Unë e humbisja fare. Ose më pyesnin: “Të pëlqen kjo apo ajo” dhe unë u përgjigjesha: “Si të doni, s’më intereson fare.” Ata largoheshin. Unë shpërtheja në lot.”
Nuk e kuptonte çfarë kishte dhe nuk e fliste me askënd. Nëse nuk kishte ndonjë xhirim, as që dilte nga shtëpia. Nëse më parë hynte në një dhomë plot vetëbesim, tani ishte kthyer në një njeri që varte kokën kudo ku shkonte. Nuk kishte më energji, jetë shoqërore, as me John-in nuk shkonte më askund.
Kockat nisën t’i dhimbnin aq sa s’duronte dot më. Kur me këmbënguljen e John-in thirrën mjekun në shtëpi, ajo ishte e dërrmuar nga gjithçka.
“E pashë doktorin dhe sytë m’u mbyllën sepse isha kaq e lodhur nga dhimbjet e vazhdueshme. Nga të fjeturit mbi divan. Nga zgjimet në mes të natës. Nga të vjellat. Nga të nxjerrit të inatit me njerëz që s’kishin faj. Ngaqë nuk po e shijoja më jetën. Ngaqë nuk i takoja më shokët e mi. Nga mungesa e energjisë qoftë edhe për të nxjerrë beben time shëtitje.”
“Doktori më dha diagnozën: depresion postpartum dhe ankth.”
Pasi më në fund ia pranoi vetes, gjërat nisën pak nga pak të normalizoheshin. Chrissy tregon se John i qëndroi pranë përgjatë kësaj periudhe shumë të vështirë, dhe sa më shumë përmirësohej ajo, aq më të lumtur ndiheshin. Chrissy ndjeu se duhej t’u jepte të gjithëve një shpjegim për mënyrën si ishte sjellë, për mungesën e komunikimit dhe palumturinë e saj.
Por kjo letër publike është mbi të gjitha një mënyrë për të promovuar të folurit hapur mbi këtë çrregullim që e vuajnë shumë gra në botë, por nuk kanë informacionin e duhur. Edhe vetë Chrissy thotë se do të donte ta kishte ditur më parë, sepse ishte momenti kur e mësoi ai që i dha forcë për ta kaluar.