Dje, revista People shpalli burrin më seksi në planet sipas tyre. Me të ju njohëm dje. Blake Shelton, 41 vjeç, këngëtar country dhe i dashuri i Gwen Stefani. Ramë dakort që kishte fytyrë (dhe trup) prej babi dhe se ishte zgjedhja më meh që mund të bënin. S’të përcjell asgjë, është thjesht meh.
Këtu nisi diskutimi mes një tufe vajzash dhe grash në redaksi. Pse s’të pëlqen ty ky? Po kush të pëlqen? Kush mendon ti se duhet të jetë burri më seksi në botë, apo në Shqipëri?
Babai i shtëpisë ngjitur
“Ermal Fejzullahu!” tha njëra, u ngrit nga karrigia dhe filloi të bërtiste gjithë arsyet pse duhet ta zinte ai vendin e parë. Arsyeja kryesore ishte një studim që tregonte se vajzat ishin më të tërhequra ndaj burrave me tipare babai, që janë të qetë e të shtruar, fiks si Ermali. Ermal Fejzullahu ka tre fëmijë si drita, vishet thjeshtë, por me stil, shkon mirë me të shoqen, punon fort dhe shijon jetën.
I keqi
Pastaj, po i njëjti person e la Ermalin për Tom Doshin. “Jo, Tom Doshi është burri më seksi thjesht sepse është Tom Doshi,” tha me sy ëndërrimtarë. Trupmadh, i ashpër dhe i ka fjala peshë. Se ç’ka një lloj vendosmërie që të bën për vete.
I pashmi
“Po Meda?” u dëgjua nga ana tjetër e zyrës. Meda është si vera, sa më shumë rritet, aq më i mirë bëhet. Ajo mjekra kur ka ndoshta dy ditë pa u rruajtur i shkon shumë dhe flokët e krehur si djalë i ri i japin hije krejt tjetër. Meda për burrin më seksi në Shqipëri!
Syshkruari
Lëvizëm në një tjetër grupim vajzash dhe pyetëm ato ku sugjerimi i parë ishte Andi Bushati. Sytë e shkruar heterokromatikë, serioziteti i nënkuptuar, qëndrimi si i qëndisur i japin vërtetë prezencë gazetarit. Është larg sensualit, por të tërheq me indiferencë. Dhe me sytë e bukur, sidomos me sytë.
Babushi
Dhe meqë na lëviz mendja sa këtu atje, e lamë Bushatin dhe kaluam tek Arben Derhemi. Si mund ta neglizhonim kështu, i përshtatet fiks llojit të burrit që po kërkojmë për këtë listë. Është thinjur pak dhe gjithë selfiet i bën si babi mesatar shqiptar. Që nga “Njerëz dhe fate” na ka lënë me atë përshtypjen e djalit të keq, kështu që i bën të gjitha, edhe babin edhe badboy-in. A s’është i adhurueshëm?
Botërori
Mirë me sy të shkruar kemi disa, po për buzëqeshje kush mbahet? Saimir Pirgu, buzët vesh më vesh, dhëmbët si rruaza, sytë e lumtur, ugh, si mund të jetë kaq simetrik. Tenori ia di pikat e forta vetes sepse çdo foto e ka duke buzëqeshur. Dhe është kaq i talentuar, i suksesshëm dhe i famshëm. I ka të gjitha!
Si përfundim, na duhet një emër që të marrë titullin... Dhe s’vendosëm dot. Bëni si bëni me gjashtë burrat më seksi në Shqipëri. Më mirë gjashtë se një.