E keni parasysh Beyonce? Beyonce pi katër litra ujë në ditë. Kim Kardashian, Karlie Kloss, Jane Fonda, Tyra Banks, çdo grua e bukur në botë pi një sasi të frikshme uji në ditë. Të gjitha thonë se është sekreti i bukurisë dhe lëkurës për t’u pasur zili.
Shikojeni këtë lëkurë dhe më thoni në sy që s’ju tundon të bëni gjithë gjërat që bën Karlie para se të flejë, përfshirë katër litra ujë në ditë. Dukshëm, unë u tundova.

Po tregohem e drejtë që në fillim. Katër litra në ditë më duket një sasi qesharake dhe e paarritshme. Kështu që, instalova një aplikacion në celular që quhet My Water. Aplikacioni regjistroi moshën, peshën dhe gjatësinë dhe e përllogariti vetë sa ujë me nevojitet në ditë. Për fat, vetëm dy litra. Në të kundërt, këtë artikull do të isha duke e shkruar nga tualeti.
Personalisht, mendoj se kjo puna e ujit është një mashtrim i madh. Si puna e urisë, trupi e di mirë kur ka etje. Kur jam e dehidratuar trupi më dërgon sinjale. Unë e vë re dhe pi ujë. Kaq ishte, nevojat e mia u përmbushën. Por qëllimi ishte tjetër në këtë rast. Doja të shihja si reagonte lëkura ime nëse unë i shtrohem një regjimi uji.
Pa futur gjë në gojë, as kafe dhe as mëngjes, ditën e nisja me një gotë ujë. Ishte e tmerrshme. Dy gllënjkat e para kalonin poshtë pa problem, por pjesa tjetër e gotës ishte si të pije vaj të trashë. Sidoqoftë, e mblidhja veten dhe i bindesha Zotit tim të ri, aplikacionit. Gjatë ditës, njoftimi shfaqej në ekran, unë shkoja dhe pija ujë. Për dy javë, isha në dorë të një software.
Uji i përzgjedhur ishte ujë i gjithë të tjerët. Ndonjëherë Lajthiza, ndonjëherë nga çezma, ndonjëherë ai që mbush mami tek autobotet. S’shtova as portokall, as kastravec, limon apo borzilok. Jam shumë dembele.
Kur vjen puna tek lëkura, edhe lagështia e ajrit ndikon. Prandaj po shtoj gjithë produktet që përdor. Me gjithë produktet e kam fjalën për këta tre. Rutina ime është minimaliste, më e pakomplikuara që keni parë. Fytyrën e laj në darkë ose kur dua të heq grimin me larësin Pure Active të Garnier. Para hidratimit, përdor tonerin e të njëjtës linjë dhe i jap fund rutinës me kremin e natës nga Alterra Cosmetics. Ndonjëherë, kur jam me qejf në dush, bëj një scrub.
Unë nuk kam ndonjë problem madhor me aknet. Thjesht disa diskolorime në faqe nga akne të mëparshme, ndonjë puçër kur nëna natyrë vjen për vizitë dhe rrathë skandaloz të zinj poshtë syve. Pikat e zeza do të doja të mos i përmendja fare. jemi në hasmëri.
Ç’ndodhi në fund të dy javëshit? Në fakt, ndryshimi është i dukshëm. Lëkura ndihet më elastike, më e hidratuar (sigurisht). Aknet u pakësuan, po ashtu dhe nuanca e rrathëve të zinj. Efektin e ujit e vura re më së miri kur aplikova fondatinë disa ditë rresht. Kur lëkura është e mirë, edhe grimi rri më mirë. Pas konsumimit rigoroz të litrave me ujë, fondatina më rrinte në lëkurë sikur të ishte bërë për mua.
Lëkura ime është e miksuar. Qepallat më thahen aq keq sa mund të fillojnë të ripen nëse s’i hidratoj. Zona T vajiset sikur të jetë e vetmja gjë të di të bëjë, ndërsa gjithë pjesa tjetër e fytyrës është në terezi. Kjo ishte përpara ujit. Tani, vë re një balancë në gjithë lëkurën dhe diferencat me zonave të ndryshme nuk janë më aq të qarta.
Si përfundim, aplikacionin vendosa ta mbaj në celular dhe bleva një shishe uji të ripërdorshme. Tani që kam provuar magjinë, s’kam ndërmend të heq dorë.