Ish- Miss Shqipëria, Niki Delijorgji është identifikuar gjithnjë falë tipareve të saj të veçanta dhe dashurinë që aparati dhe kamera ka për të.
Por u bë kohë që modelja ka tërhequr vëmendje duke na treguar ndryshimin e madh që bëri në stilin e saj të jetesës, vendimin për tu bërë vegane.
(Për ta sqaruar, veganizmi është një formë më strikte e të qenit vegjetarian. Ndonëse në qendër kanë të dyja mbrojtjen e kafshëve nga shfrytëzimi i tyre, një vegan në përditshmërinë e tij nuk konsumon as nënprodukte që dalin prej tyre, si veza, djathi apo edhe mjalti.)
Në intervistën e dhënë për Anabel.al, Niki na tregoi gjithçka rreth stilit të saj të ri të jetës.
Si nisi e gjitha? Kur vendose të bëheshe vegane?
"Vendosa me datë 26 mars 2016-të. Dy muaj përpara kisha parë një postim për veganizmin dhe u ndjeva pak fajtore. Gjithsesi vazhdoja duke ngrënë mish, por më pas kalova një fazë mërzie për disa ditë. Një mbrëmje hyra në Youtube dhe kërkova për video që tregonin se si i vrisnin kafshët dhe si merrnin nënproduktet e tyre. E kam parë gjithë natën dhe ditën tjetër vendosa të bëhem vegane. Që ditën e parë pas vendimit, e prisha me një akullore, por gjithsesi ideja vazhdoi."
A ka qenë e vështirë për ty ndryshimi i stilit të jetësës?
"Në fillim ishte e vështirë sepse nuk dija shumë gjëra. Kisha informacion të kufizuar. Gjithçka dija ishte se nuk doja të kontribuoja më në abuzimin e kafshëve dhe të isha unë arsyeja e shfrytëzimit të tyre. Pastaj, sa më shumë informohesh aq më e thjeshtë është. Normalisht në fillim është e vështirë si çdo ndryshim jetese."
Për modelen, një botë ideale do të ishte ajo ku kafshët dhe njerëzit trajtohen në mënyrë të barabartë.
“Nëse fokusohesh tek viktima (kafsha) më shumë se tek vetja, atëherë gjithçka është më e thjeshtë.”
Po prindërit e tu? Ç’mendim kanë patur për këtë vendim?
Në fillim ata kanë qenë shumë kundër, sepse unë jam shumë tip impulsiv. Por sa më shumë kohë kalon gjërat ndryshojnë dhe ata fillojnë dhe vetë ta ndjejnë.
Jam kureshtare të di për familjarët e tu. A e konsumojnë ata mishin?
Po, të shtëpisë sime e konsumojnë mishin. Babi im ka qenë mishngrënës i përditshëm, por e ka rralluar shumë. E njëjta gjë ndodhte dhe me vëllain.
Ai shpesh më thotë se nuk bëhet vegan vetëm nga arroganca dhe përtesa sepse nëse do t’i gatuaja unë çdo ditë do ta bënte. Ndërsa mami tani konsumon vetëm peshkun dhe produktet e tjera.
Përpos faktit që për më shumë se një vit Niki është shndërruar në vegane, ajo bën një lloj ndërgjegjësimi edhe përmes llogarisë së saj të Instagram-it.
Në shumë nga fotot që poston, modelja ndan me fansat ushqimet që konsumon dhe përfitimit e këtij stili jete.
Përsa i përket karrierës, ish Miss-i pas shumë eksperiencave në fushën e modelingut tregoi se aktulisht ka hequr dorë duke qenë se impenjimin më të madh po ja përkushton disa projekteve. Gjithsesi nuk përjashtoi kurrsesi faktin që mund t’i rikthehet shpejt pasionit të saj.
Për herë të fundit, 21-vjeçaren me tipare unike e kemi parë tek klipi i Butrint Imerit, në këngën ‘Xhanëm’.
E pyetur nëse i ka ndyrshuar diçka pas këtij bashkëpunimi Niki tregoi se thjesht i është shtuar numri fansave. Ata që duan Butrintin nuk kishin kurrsesi si të mos bëheshin fansa të magjisë që shfaqet në klipin e tij!
