Kur isha adoleshente e lyeja fytyrën me vaj kokosi. Ishte një nga ato gjërat që bëhen mes gocash, ma kishin këshilluar, ua kisha këshilluar të tjerave e kështu shkonte kjo punë.
Kjo edhe për faktin se diçka me një erë aq të ëmbël s’mund të na bënte keq, apo mundej?
Për disa vite nuk pata asnjë problem, fytyrën e kisha të lëmuar dhe të pastër, si të kisha përdorur ndonjë filtër Instagram- i. Kjo derisa fytyra ime, tanimë e një të rriture nisi të kërcënohej seriozisht nga pikat e zeza dhe puçrrat. Pse? Kush dreqin e dinte. Djalli punon në mënyrë misterioze. Dhe kur them djall, nënkuptoj poret.
Sigurisht mendja më shkoi te vaji i kokosit për një moment. Më pas fola me disa mikeshat e mia dhe kishin të njëjtat ankesa. Vaji i kokosit u kishte shkaktuar shumë probleme në lëkurë. Aty u binda. Gjithsesi sot nuk jam këtu për t’ju thënë hiqni dorë, do t’ju tregoj thjesht si është puna, më pas vendosni vetë.
PËRGATITUNI TË KENI PËRKEQËSIME
Më vjen keq vaj kokosi, ama nuk je një mik i mirë për lëkurën. Të paktën, për të gjithë ata që kanë një lëkurë të prirur ndaj akneve.
“Megjithëse është shpallur si i dobishëm, vaji i kokosit është aq i rëndë sa ka potencial për të bllokuar poret. Është një vaj shumë i trashë i cili nuk i lejon poret të ajrosen, përkundrazi krijon shtresë.” shprehet Joshua Zeichner, drejtor i hulumtimeve kozmetike në spitalin Mount Sinai.
MOS E PËRDORNI PËR TË KURUAR PUÇRRAT
Vitet e fundit vaji i kokosit po përdoret gjerësisht për të shëruar puçrrat, kjo për shkak të acidit laurik që ka në përmbajtje, një anti- bakterial. Gjithsesi kjo jo detryrimisht e bën përdorimin e vajit të kokosit efektiv, përkundrazi në asnjë studim nuk ka treguar përmirësim tek aknet. E gjithë kjo famë për vetitë çudibërëse të vajit të kokosit nuk ka një bazë shkencore.
“Disa njerëz janë shumë të ndjeshëm ndaj një sërë faktorësh të jashtëm, përfshirë këtu edhe vajin e kokosit, ashtu siç ka edhe të tjerë që mund ta përdorin pa problem. Çështja është, pse të rrezikoni kaq shumë?”
Për fat të keq, e vetmja mënyrë për të zbuluar nëse lëkura jua pranon vajin e kokosit është të provoni fatin. Pse, kur në fakt në treg ka produkte shumë të mira që mund t’ju ndihmojnë vërtet.
Shkrimi u mor nga "Marie Claire"