Showbiz dhe TV

Linda Halimi shpjegon pse u puth me një vajzë në klipin e ri

7 Shtator 2018

Linda Halimi shpjegon pse u puth me një vajzë në klipin e ri

Linda Halimi iu rikthye muzikës pas ca kohësh heshtje dhe u sigurua që të bjerë në sy. Kënga e re quhet “Murda” dhe klipi përmban një skenë erotike të Lindës me një vajzë tjetër. Dy vajzat preken e puthen në klip, nën dritat e kuqe. Ishte e pazakontë dhe e papritur duke marrë parasysh stilin e Lindës, por në një intervistë me Panorama Plus, këngëtarja shpjegoi motivin pas skenës.

“Thjesht doja të provoja diçka të re. Në jetë, ne rritemi, zhvillohemi, eksperimentojmë, provojmë gjëra të reja sepse do të ishte monotoni e madhe nëse do të bënim të njëjtat gjëra përgjithmonë. Dhe unë jam e bekuar që çdo ditë kam mundësinë të bëj gjëra të reja,” tha ajo.

Së fundi, tregu botëror i muzikës u përball me një valë këngësh që u kthyen në himne për komunitetin LGBT. Halsey, Janelle Monae, Kehlani, Hayley Kiyoko, Rita Ora, e të tjera muzikante lesbike ose biseksuale, patën sukses me këngë dedikuar vajzave. Mesa duket, Linda u përpoq të shfrytëzonte inercinë e momentit, pasi sipas saj, nuk është trend, por “solidarizim me komunitetin LGBT! Unë gjithmonë kam qenë me ata që kanë guximin të jenë ata që duan, të dashurohen me njerëzit që duan, pavarësisht gjinisë, etnicitetit, besimeve fetare, etj. sepse asnjë nga këto s’ka rëndësi nëse je i lumtur.”