Instagramming

Kjo është Elvana e vërtetë!

9 Tetor 2018

Kjo është Elvana e vërtetë!

Deri në këtë moment, mund të keni lexuar me dhjetëra shkrime e përditësime në lidhje me konfliktin me armë në ish-Bllok ku mbeti i vdekur një person. Shumë shpejt, konflikti filloi të rrotullohej rreth Elvana Gjatës, që fati deshi të ishte e implikuar me një prej palëve.

“Thelbi i vrasjes në mes të Bllokut u anashkalua për hir të një telenovele më të klikueshme, asaj të pjesëmarrjes së artistes Elvana Gjata në vendndodhjen e konfliktit. Të gjitha mediat, qoftë edhe ato gjeneraliste u kthyen në rozë dhe Elvana në targetin më joshës për të thithur interesin e lexuesve,” shkruan Dalina Buzi në një opinion për Anabel.al. Palët, shkaqet dhe vetë konflikti u harruan dhe nisi përbaltja e emrit të këngëtares thjesht sepse është më e klikueshme si histori. Të njëjtin sentiment ndajnë dhe përkrahësit e Elvanës, siç u vu re në një seri postimesh nga Olti Curri në Instagram.

Blogeri postoi një video të Elvanës duke performuar në një koncert me mbishkrimin “Kjo është Elvana! Të tjerat janë vrer i hijenave të rrjeteve sociale.” Nuk është i vetmi që mendon ashtu.

Kjo është Elvana e vërtetë!

Përkrahës të shumtë të këngëtares i shkruajtën Currit për të shprehur mbështetjen e tyre, përtej lojës së shëmtuar në media.

“Ajo është unike dhe e tillë do të mbetet. Të tjerat nuk na interesojnë. Është po ajo Elvanë që në bën të ndihemi krenarë, është po ajo Elvanë që na emocionon,” shkruan dikush. “S’mund ta zbehin imazhin dhe talentin e kësaj vajze që ka punuar fort,” shkruan dikush tjetër. “Është në lartësinë e mëparshme, asgjë s’ka humbur.”

Edhe ata që nuk e konsiderojnë veten fansa të Elvanës thonë se ajo është këngëtare e zonja dhe ky është një fakt që asnjë ngjarje s’e ndryshon dot. Jeta personale, është as më pak e as më shumë, thjesht personale dhe lexuesi shqiptar është i aftë të shohë realitetin, pavarësisht mënyrës si i serviret në media. Elvana e vërtetë është ajo në skenë, e talentuar, e buzëqeshur, e përkrahësve.