Gjithçka nisi vjet, kur People zgjodhi Blake Shelton si burrin më seksi në botë. Ne, si dhe çdo njeri i vetëdijshëm në botë, ishim shumë të palumtur me zgjedhjen. Si rrjedhim, e morëm çështjen në duar, e analizuam, e disektuam dhe nxorrëm në dritë një listë naive me gjashtë burra seksi në Shqipëri.
Këtë vit, burri më seksi në botë, Idris Elba, i përshtatet më së miri titullit. Idris ka një trup perëndish, sy shprehës dhe qëndrim seksi në përgjithësi. Sidoqoftë, nisëm një traditë dhe është momenti për një listë tjetër. Erdhëm vërdallë në zyrë dhe mblodhëm emra të tjerë burrash seksi. Emrat janë renditur rastësisht, por në fund, me anë të një sondazhi (ne vdesim për sondazhet këtu) ju do të vendosni kush meriton vendin e parë.
Gjëja më seksi rreth Don Phenom është zëri i gërvishur dhe këtu biem dakord të gjithë. Don Phenom është i gjatë, trupmadh dhe i mbushur, tullac e me mjekër të kuruar. Për disa, kështu duket burri ideal dhe e kuptojmë tërheqjen. Phenomi është çuni i keq që ti vdes ta bësh për vete.
Shpat Deda është krejt e kundërta e pararendësit. Shpati ka lëkurë të shkëlqyeshme, sy blu (jashtëzakonisht blu), buzëqeshje të ëmbël dhe zë engjëllor. Këngëtari na kujton dashurinë e parë dhe ndjenjat e qashtra që vijnë me të. Po lëmë foton promovuese të turneut të flasë për ne.
Ndërsa Ledri shëmbëllen si djali popullor i shkollës, që të gjithë e njohin se është bukurosh, por pak e dinë për shpirtin e pasur që fsheh. Përveç pamjes, që s’e vë njeri në diskutim që është shumë seksi, Ledrin e bëjnë seksi hareja që shfaq kudo, mënyra si vishet dhe librat që lexon.
Lorik Cana është një bukuri tipike, e pakundërshtueshme. Jemi të sigurt që ka thyer zemra që kur kuptoi fuqinë që mbart. Loriku është një njësi matëse, një etalon. Për më tepër, fakti që është i martuar, i përkushtuar ndaj familjes, njeri i Zotit dhe merret me bamirësi e bën të paktën 10-fish më seksi në sytë tanë. Ç’është më seksi se altruizmi?
Oh Zot, Nik Xhelilaj! Të rriste flokët ishte zgjedhja më e mirë që ka bërë në jetë. Thjesht shikojeni atë portret, hundën perfekte, flokët e zinj si korb. Niku është burri ideal për të braktisur qytetin e lindjes e për t’u arratisur diku ku s’ju njeh njeri. Kush thotë që s’do arratisej me Nikun gënjen. Kaq.
Ka diçka Blerim Destani që nuk i vëmë dot gishtin. Pa dyshim është tradicionalisht tërheqës, por s’e bën vetëm kjo seksi. S’e zbërthejmë dot këtë njeri. Ndoshta janë gjithë purot që pi, ndoshta janë sytë dyshues, ndoshta pasuria masive, s’e dimë. Ndoshta fakti që s’e dimë ç’e bën seksi, e bën seksi.