Autoriteti i Mediave Audiovizive i ka tërhequr vëmendjen Top Channel për puntatën e të shtunës së kaluar të “Dua të të bëj të lumtur,” ku ndër të tjera u trajtua edhe historia e zonjës Elida.
Elida ftoi bashkëshortin e saj në emision për t’i kërkuar falje pasi e kallëzoi në polici, kallëzim që rezultoi në tetë muaj heqje lirie. Ajo ndërmori këtë hap pas një episodi të dhunshëm në shtëpi, teksa ajo ishte shtatzënë.
“Nisur nga reagimet e shumta në rrjetet sociale dhe nga reagimi i një grupi organizatash që punojnë për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, të drejtave të vajzave dhe grave, mori në shqyrtim ‘Dua të të bëj të lumtur,” thuhet në shkresën që AMA i dërgoi Top Channel.
“Rrëfimi i zonjës, e cila pranon dhunën e ushtruar ndaj saj nga bashkëshorti, duke e toleruar dhe justifikuar atë, legjitimon ushtrimin e dhunës me bazë gjinore, duke shkelur në këtë mënyrë parimet e sanksionuara nga ligji,” vijon shkresa.
Segmenti në fjalë i “Dua të të bëj të lumtur” ka shkelur dy pika, një të ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë,” dhe një të Kodit të Transmetimit. Përkatësisht, në pikat e shkelura thuhet se “operatorët e shërbimit audioviziv, gjatë zhvillimit të veprimtarisë së tyre, udhëhiqen nga... moslejimi i transmetimeve që nxisin dhunën mes shtetasve,” dhe “transmetimet audiovizive nuk duhet të të nxisin urrejtjen, intolerancën, diskriminimin ose të justifikojnë dhunën ndërmjet shtetasve.”
Nën komentet e videos së segmentit në YouTube vihen re pikërisht llojet e komenteve që AMA synon të parandalojë e të ndjellë në publik. “Elida më vjen keq që të paska dhënë një shuplakë burri, por ti meriton shkop tre herë në ditë, shkruan dikush. “Po të isha si ky burri, do e mbysja live në emision këtë fytyrë shtrembër,” shton dikush tjetër. Komentet janë thuajse të gjithë drejtuar Elidës e të gjithë kanë natyrë denigruese.
AMA vendosi sanksionin “Tërheqje vëmendje” ndaj Top Channel dhe në rast përsëritjeje, do t’i referohen ligjit 97/2013 për procedimin.