Dje, Loredana Zefi, e shoqëruar nga bashkëshorti Mozzik dhe dy avokatët e saj, mbajti një konferencë për mediat dhe fansat, ku preferoi që të mos komentojë gjatë ngjarjet e bujshme pasi u takojnë organeve kompetente. Një ndër gjërat që ra në sy në daljen e saj publike ishin syzet, ndaj nisur nga kjo, po ju sjellim në vijim disa detaje se ç’tregon gjuha e trupit për Loredanën.
~ Syzet ~
Përpos mbrojtjes nga rrezet e diellit dhe përdorimit të tyre si aksesorë, njerëzit (përgjithësisht figurat e njohura) i mbajnë syzet edhe për arsye psikologjike – kur nuk janë në gjendjen e tyre më të mirë ose kanë “fobi” fotot e paparacëve dhe fansave. Loredana ishte e vetëdijshme se në konferencën e organizuar nga vetë ajo do të ishin të pranishëm fotografë, përfaqësues të mediave dhe fansa. Look-u i saj dukej i kuruar në detaje. Të mbash syze në konferencë, përpos faktit që konsiderohet mungesë respekti për palën tjetër, është një mënyrë për të zvogëluar mundësinë e të tjerëve për të të kontrolluar emocionet dhe shprehitë. Ekspertët e gjuhës së trupit thonë se kur buzëqeshjet janë të sinqerta, aktivizohet në zonën e syve një muskul i quajtur orbicularis oculi, mirëpo syzet e vështirësojnë mundësinë për të deshifruar gjuhën e trupit; të paktën te sytë. Në vijim, ajo i heq ato (për pak minuta), flet qetësisht në gjermanisht, i vendos sërish dhe i heq përsëri disa minuta më vonë.
~ Duart ~
Fillimisht, Loredana i mban duart e vendosura mbi tavolinë, një shenjë kjo e një njeriu të qetë dhe komod me situatën. Në vijim, reperja i lëviz vazhdimisht ato. Sipas ekspertëve të gjuhës së trupit, gjymtyrët më të vështirë në situata komplekse janë duart dhe këmbët.
Nëse dikush lëviz vazhdimisht duart, luan me sende (stilolaps në rastin e Loredanës) do të thotë që po gënjen ose po ndihet në siklet. Megjithatë lëvizja e duarve është edhe ves për një pjesë të madhe të njerëzve.
Vendosja e tyre në pjesën e mjekrës është shenjë se personi po humbet durimin dhe kërkon të lëvizë,
ndërsa mbajtja në mënyrë të kryqëzuar tregon se personi ndihet i mbrojtur.
~ Pauzat ~
Të gënjesh është një proces shumë kompleks, ndaj trurit që i duhet më shumë kohë për të krijuar gënjeshtrat, ndaj përgjigjet jepen me vonesë. Përgjithësisht, Loredana flet me ndërprerje jo fort të zgjatura. Pauzat mund të justifikohen edhe me vështirësitë për t’u shprehur në gjuhën shqipe, pasi kur komunikimi ndodh në gjermanisht, e folura është e shpejtë dhe pa ndërprerje.
~ Tharja e gojës ~
Mohimi i së vërtetës shkakton një stres momental, çka sjell aktivizimin e mekanizmave “lufto ose vrapo”. Ky mekanizëm sjell tharjen e gojës, djersitje dhe shtimin e rrahjeve të zemrës. Personat që gënjejnë pijnë vazhdimisht ujë. Gjatë bisedës, Loredana nuk shihet të konsumojë shumë ujë.
~ Ngritja në këmbë ~
Persona të ndryshëm, reagojnë në mënyra të ndryshme. Ngritja në këmbë është shenjë e një personi të nervozuar.