Gjatë konferencës për mediat të mbajtur tri ditë më parë, Loredana mohoi që të ketë vjedhur afro 1 milion franga duke përdorur kërcenime dhe mashtrime. Megjithatë, nëse akuzat janë të vërteta, bazuar të paktën te ligji shqiptar, vjedhja e pasurisë me anë të gënjeshtrës ose shpërdorimit të besimit dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet dhe, kur ka sjellë pasoja të rënda, me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.
Po kështu, shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për të kryer ose mos kryer një veprim të caktuar, për të fituar padrejtësisht pasuri ose çdo lloj përfitimi tjetër, për vete ose për të tretë, dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet dhe me gjobë nga gjashtëqind mijë deri në tre milionë lekë.
Kur vepra kryhet duke përdorur a kërcënuar me përdorimin e armës, torturës, akteve çnjerëzore e poshtëruese që kanë shkaktuar dëmtime të shëndetit, dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga dy milionë deri në pesë milionë lekë.
Përsa i përket ligjeve në Zvicër, “20 Minuten” raporton se reperja mund të dënohet deri në 5 vite burgim, nëse vërtetohen akuzat.
Mund të lexoni edhe: Nga syzet te duart: Ç’tregon gjuha e trupit për Loredanën?