Në një intervistë për “Thumb”, producenti Petri Bozo foli ndër të tjera për disa nga kriteret për t’u përzgjedhur si konkurrente për Miss. Si një mënyrë për të përkrahur “bukurinë natyrale”, Bozo theksoi se nuk pranohen vajzat që kanë bërë ndërhyrje estetike.
Në një kohë kur gjithnjë e më tepër po ngrihet zëri për diversitetin në shumë fusha, duke rrëzuar paragjykimet dhe standardet e bukurisë të vendosura në të kaluarën, Petri Bozo shkon në kah të kundërt. Ai pranoi gjithashtu se “një Miss nuk mund të jetë kurrë lesbike”, a thua se bukuria ka lidhje me orientimin seksual. Jo më kot Angela Ponce u bë transgjinorja e parë që pasi u zgjodh Miss Spanja përfaqësoi vendin në Miss Universe 2018.

Megjithatë producenti shqiptar është kundër konkurrimit të transgjinorëve, të cilët në një farë mënyrë i krahasoi me pedofilët. “Transeksualët? Ishalla nuk arrijmë deri në atë pikë. Kur filloi historia e homoseksualizmit që duhet të martohet gruaja me grua dhe burri me burrin, për mua nuk është normale. Mbaje mend për nja pesë a gjashtë vite ka për të dalë edhe për përdhunuesit e të miturive( pedofilët). Bota po devijon kaq shumë nga gjërat sa unë nuk e di se ku do përfundojë,” u shpreh ai.
Me të drejtë, Aulona dhe Fatma iu kundërpërgjigjën duke theksuar se dashuria dhe përdhunimi janë dy gjëra të ndryshme.
Bozo nuk është i vetmi që i drejtohet në këtë mënyrë komunitetit LGBTQ+. I fundit qe Jul Deda, postimi i të cilit revoltoi jo pak ndjekës.