Pas gati 15 vitesh mungesë, dje, në koncertin e ribashkimit të “Ritfolk” – një prej grupet më të njohura dhe më revolucionare të muzikës pop-rock në vend – për herë të parë u shfaq Ervin Hatibi përmes një video-mesazhi të shfaqur gjatë koncertit, ku theksoi mënyrën inovatore të grupit për të bërë muzikë, duke qëndruar me orë të tëra në Institutin e Kulturës Popullore për të kuptuar dhe përthithur më mirë folklorin shqiptar. Ndonëse i pranishëm gjithkund përmes estetikës, publicistikës dhe artit të tij, Hatibi mungonte prej kohësh, të paktën fizikisht.

Pasi e sprovoi veten me poezinë që në moshën 15-vjeçare, ai u shndërrua në një nga talentet më të spikatura të post-diktaturës përmes poezisë dhe pikturës. Në po të njëjtën kohë, shkroi tekstet e disa prej këngëve më të famshme të “Ritfolk” si “Afrohu”, “Dëshirë dhe heshtje”.
Kështu Hatibi la gjurmë jo vetëm në letërsinë e viteve ’90 dhe atë bashkëkohore përmes “Përditë shoh qiellin” apo “Pasqyra e lëndës”, por depërtoi edhe në muzikë ku në të dyja rastet përcolli kaosin e shoqërisë dhe të rinjve shqiptarë të gjendur në një epokë të re, të paaftë për të vepruar me lirinë; një rini e trazuar dhe aspak e sigurt e pasviteve ’90.

Në vijim, Hatibi u përfshi edhe në shumë çështje sociale, të cilat i përcolli në përmbledhjen me ese “Republick of Albanania” megjithëse në fillim të viteve 2000 iu përkushtua besimit musliman dhe nisi të largohej gjithnjë e më tepër nga skena publike. Prej kohësh, artisti dhe publicisti i njohur jeton në Stamboll.
View this post on Instagram