Pak orë pasi u shpall data zyrtare e nisjes së sezonit të dytë të “Hostel by Anabel”, në një intervistë për Anabel.al, krijuesja dhe producentja ekzekutive Dalina Buzi, zbuloi se #Love #Likes #Tirana do të ishte një serial rom-com (Romantic Comedy) që “do të trajtonte të përditshmen e Tiranës, një Tirane që shumë pak portretizohet në prodhime kinematografike/televizive”.
Bazuar te linjat që ndjekin përgjithësisht serialet rom-com, #LLT doli jashtë parashikimeve në 4 pika kryesore, të cilat u trajtuan ndryshe dhe befasuan për mirë audiencën.
Personazhet; nga periferia në qendër
Një subjekt që lindi si një trekëndësh dashurie, u shndërrua më pas në linja të dyfishta e të trefishta duke larguar pak e nga pak fokusin nga protagonistët Zoi-Klajdi-Luna. Në #LLT, personazhet vendosen në funksion dhe zbulohen përmes njëri-tjetrit. Karakteri i tyre zbulohet nga dhe përmes të tjerëve; ata nuk "fotografohen" në habitatin e tyre, por në marrëdhëniet që krijojnë. Ndërtimi i gjithë subjektit nuk përqëndrohet vetëm te protagonistët pasi në një mënyrë ose në një tjetër, personazhet kanë pothuajse të njëjtën peshë.
Rikthim te “Friends”
Siç e thamë më sipër, gjithçka nisi si një trekëndësh dashurie, por ndonëse pritej që gjithë seritë të bazoheshin te drama e një romance të tillë, #LLT rikthen në epokën moderne Friends-at e viteve ’90-2000 së bashku me humorin e tyre. Të gjithë bashkë, të mbledhur në një kafene, personazhet ndërveprojnë me njëri-tjetrin duke u bazuar përgjithësisht te tema e shoqërisë.
Dashuria në shumë dimensione
#Love #Likes #Tirana hoqi dorë nga përdorimi i skemës klishe: Romanca dhe drama mes një djali dhe një vajze të re. Sigurisht që një marrëdhënie e tillë qëndron, por #LLT solli në të njëjtën kohë shembullin e dashurisë platonike (Iris-Erion), dashurisë brenda të njëjtit seks (Xheni-Sara), dashurisë në distancë (Ledia-Landi), dashurisë së nxituar (Lina), dashurisë së pamundur (Elio-Zoi, Luna-Klajdi). Pesha që i është dhënë secilës ka qenë pothuajse e barabartë.
Mungesa e dramatizimit
Në serial, dramatizimi shkon deri në atë pikë sa nuk bëhet i tepërt. Për shembull një tradhti – që pritet të ketë pafund momente prekëse – përcillet me elemente të trishtë (këngë, fjali, skena etj), gjithnjë pa tendencën për ta tepruar. Po kështu një dashuri brenda të njëjtit seks, pavarësisht paragjykimeve, trajtohet si diçka e zakonshme, ashtu siç duhet të jetë.
Për ta përmbyllur, seria e fundit e #LLT do të quhet “LLT Grand Finale” dhe do të transmetohet më 2 korrik – një seri gati 45-50 minuta. Deri tani, producentja Dalina Buzi nuk ka zbuluar detaje të tjera, megjithatë vështirë të parashikojmë gjë. Nisur nga gjithë ç’lexuat më sipër, seria e fundit pritet të jetë menjëmend surprizë.