Showbiz dhe TV

Angela Martini flet për jetën frymëzuese të nënës së saj

Shkruar nga Anabel

13 Gusht 2019

Angela Martini flet për jetën frymëzuese të nënës

Përshëndetje të gjithëve. Jemi mbledhur sot këtu për të folur (sërish) për Angela Martinin dhe librin e saj të parë. Në një intervistë për Haute Living, modelja tregon se libri do të botohet në fund të tetorit në Amerikë dhe në nëntor nëpër Europë e Shqipëri. Debutimi i modeles si autore ka në zemër historinë e nënës së saj, që ka hequr me dhjetëra peripeci në jetë e sërish ia doli të ndërtonte një jetë për veten e fëmijët e saj.

“Nëna ime është idhulli im. Kur ishte 47 vjeçe, beqare dhe me dy fëmijë, u largua nga varfëria në të cilën kishte jetuar në Shqipëri. Humbi shtëpinë. Kaloi kaq shumë sfida, fitonte vetëm 60 dollarë në muaj dhe kishte pësuar dy divorce. Me kalimin e kohës, u bë pedadoge e respektuar në Zyrih, gjeti dashurinë e saj të vërtetë, një rrogë të majme për nivelin e saj dhe mori një çmim nga UNESCO për një projekt humanitar për gratë. Aty pyeta veten: Po ti si e justifikon veten?” tregon Angela.

E ëma i mësoi të paktën dy gjëra modeles dhe tashmë autores. Së pari, nuk ka kohë për t’u viktimizuar. “Fokusohu dhe ec përpara. Të gjitha kalojnë.” Dhe së dyti, trego të vërtetën, pavarësisht situatës.