Shqipëria

Publikohet video: Pronari i lokalit hidhet mbi furgonin e turistëve spanjollë, thyen xhamin me duar

Shkruar nga Anabel

17 Gusht 2019

Publikohet video: Pronari i lokalit hidhet mbi furgonin e turistëve

Para pak, Report Tv publikoi videon e realizuar nga brendia e furgonit me të cilin po udhëtonin turistët spanjollë në Porto Palermo. Pasi turistëve s’iu pëlqeu shërbimi në restorantin e Mihal Kokëdhimës, ata u larguan. Kokëdhima u acarua, u konfliktua fizikisht me ta, u shkaktoi dëmtime në trup e më pas ndoqi furgoni me të cilin u larguan.

Furgoni drejtohet nga një shofer shqiptar. Pasagjeri në vend të parë dhe një tjetër ishin gjithashtu shqiptarë. Në videon e realizuar nga brendia e furgonit, vihet re Kokëdhima i hedhur përpara makinës që gjuan pambarimisht xhamin e parmë deri sa e thyen.

Makina udhëton nga Porto Palermo drejt Qeparosë dhe për rreth 3 km, Kokëdhima mbahet në pjesën e kroskotit me dorën e majtë. Ngjarja mund të ishte kthyer në një tragjedi shumë shpejt si pasojë e rrugës së vështirë e me kthesa, xhamit të parmë që pengon shikimin dhe Kokëdhimës së hedhur mbi makinë. Shoferi heziton të ndalojë sepse mendon se po e ndjek një makinë tjetër, me njerëzit e Kokëdhimës.

Në një moment, Kokëdhima bërtet dhe i kërkon shoferit të ndalojë makinën dhe ky i fundit i jep disa mundësi duke ngadalësuar, por ai nuk zbret. Në afërsi të Qeparosë, Kokëdhima zbret nga makina dhe sërish tenton të hapë dyert për të sulmuar turistët. I bie furgonit me grusht për herë të fundit para se të largohet.

Kujdes, pamje të rënda.

Një makinë e FNSH arrestoi shkurtimisht më pas Mihal Kokëdhimën, i cilia kuzohet për kanosje, dëmtime të tjera me dashje dhe shkatërrim prone.

Turistët spanjollë u vizituan nga Ministri i Turizmit, Blendi Klosi. Ndërsa Edi Rama dënoi rëndë veprimin e pronarit të restorantit.