Interneti, të paktën versioni më i prekshëm, është kthyer në një shpatull të ngrohtë elektronike, por që e bën punën njësoj. Çdo ditë, me qindra njerëz na shkruajnë për një mendim të dytë a të dyzetë. Në ndihmë të atyre që kanë nevojë për përvojën kolektive të qindra mijëra lexuesve të Anabel, menduam t’i postojmë letrat tuaja në formën e artikujve. Në këtë mënyrë, edhe ju i gjeni më lehtë kur të gjendeni në të njëjtën vështirësi ndonjë ditë. Faleminderit që na shkruani e faleminderit që na lexoni.
Përshëndetje Anabel,
Quhem Bledi. Jam 28 vjeç. Historia ime fillon që herët, periudhë kur njeriut i fillojnë ndryshimet e mëdha të moshës, në adoleshencë të hershme. Faktikisht nuk jam i sigurt për periudhën për të cilën saktësisht kam ndjerë gjëra të çuditshme tek vetja. Megjithatë, më kujtohet shumë mirë ankthi dhe njëlloj frike që nuk arrija ta kuptoja se çfarë do të ndodhte.
Në shoqëri kam qenë gjithmonë njeri i hapur, shakaxhi dhe më ka pëlqyer pothuajse gjithnjë të jem on top si organizator dhe lider grupi. Gjithçka ishte njëlloj me shoqërinë time, përveç një gjëje. Unë nuk fantazoja të bëja seks me asnjë shoqe të klasës, në dallim nga të gjithë shokët e mi. Me kalimin e kohës kjo gjë kishte filluar të më shqetësonte, nuk e kuptoja pse nuk kisha fantazi seksuale me asnjë prej gocave të klasës.
Në Shqipërinë e fillim të viteve 2000, pjesa më e madhe e adoleshentëve sapo kishim filluar të shihnim porno, fal platformave dixhitale, por edhe më parë në kanale televizive europiane. Shpesh mblidheshim në shtëpinë e një shoku, kur nuk kishte njerëz normalisht, dhe i shihnim. Të them të drejtën i shihja se s'doja të ndahesha nga të tjerët, por nuk ndjeja gjë. Koha kalonte dhe problemi sa shtohej. Kisha refuzuar në mënyrë kategorike të besoja se më pëlqenin meshkujt. Jetoja në një ambjent që edhe pse pothuajse asgjë nuk dinim rreth gay-ve, vetëm i shanim, madje në mënyrë përbuzëse i quanim pederastë. Asnjëherë nuk kisha takuar një gay, por ama ishte fyerja kryesore që përdornim për dikë për ta turpëruar deri në fund.
Koha eci dhe tashmë kisha filluar t'i kuptoja gjërat shumë mirë. Në ndërgjegjen time tashmë ishte varrosur një sekret, për të cilin isha betuar se do e merrja me vete në varr. Për vite me radhë kam refuzuar edhe ta mendoj, duke e shtypur gjatë gjithë kohës, gjithmonë. Periudha e gjimnazit kaloi si kaloi, nuk ka qenë shumë e vështirë pasi pavarësisht zhvillimit të hormoneve, kam ditur të ruaj shumë mirë sekretin, atë që isha betuar se nuk do ia tregoja askujt, asnjëherë.
Në universitet filluan problemet e para, duhej me patjetër të tregoja kujdes të shtuar. Miqësi e re, realitete të ndyshme dhe patjetër një tjetër luftë e re me veten. Aty kam provuar disa herë të krijoj lidhje ne femra, nuk ka qenë e vështirë pasi të thuash se nuk jam simpatik, ju gënjej. Lidhje të shkurtëra, minimaliste, sa për të shtuar edhe unë ndonjë në listë, përndyshe do të kuptohesha, të gjithë ishin gati për të më quajtur GAY.
Në grupin tim të fakultetit në Tiranë ka qenë njëri që e admiroja, thellë-thellë më pëlqente, por siç e citova më lartë, duhej ta shtypja: Unë nuk jam GAY! Kam kaluar pesë vite studime të tmerrshme, kush e di sa mëngjese jam zgjuar me jastëkun ujë nga lotët, sepse nuk duhej ta pranoja. Nga shkolla më mbetën disa miqësi shumë të mira, për të cilat i jam shumë falendërues Zotit. Brenda pak kohësh fillova punë në profesion, atë që kisha patur ëndërr gjithmonë. Për tre vite me radhë kam punuar papushim, pa u lodhur, me orare të zgjatura, nga dëshira për të ecur më lartë, dhe ishte e vetmja mënyrë për të harruar sadopak atë që isha. Në punë isha konsoliduar, në familje gjërat rridhnin normalisht. Kisha ecur mjaftueshëm mirë, aq sa prindërit ishin krenar tashmë për atë që isha. Fatmirësisht akoma në moshë të re për të krijuar familje dhe asnjëherë nuk kisha patur presion nga familja, moment për të cilin çdo i ri shqiptarë e kalon, dhe jo vetëm nga familja, por i gjithë farefisi: Hajde martohu, u bëre burrë.
Koha po ecte dhe tashmë dëshirat e trupit ishin bërë shumë të vështira për t'u menaxhuar. I dija shumë mirë format e reja të njohjeve online me njerëz të të njëjtit seks, por kisha refuzuar gjithmonë t'a bëja. Një pasdite, krejt rastësisht më bie të shoh një film në subjektin e të cilit ishte një i ri GAY, i cili në fund të filmit arrin të pranojë veten ashtu siç është dhe gjen guximin t'ia thotë familjes. Madje, arrin të gjej njeriun e zemrës, në Grindr, një aplikacion njohjesh për çuna.
E dija ekzitencën e Grindr, por pas këtij filmi mora guximin të krijoja një account, për herë të parë. Më lejoni t'iu them që nuk ishte aspak një vend për mua, aty gjithçka ishte super po super e avancuar, ndërsa unë ndihesha totalisht i huaj. Grindr është një botë qejfi, seksi dhe dalldie që unë nuk e kapërdija. Në tre ditët e para fola me shumë njerëz, padiskutim isha anonim, të gjithë donin seks. Kisha ca kohë që flisja me njërin, dukshëm më ndryshe se të tjerët. Pas javësh insistim pimë një kafe bashkë.
Nuk e harroj sikletin e asaj dite. Kur u ktheva në shtëpi qava. Takimi i parë pasoi të dytin, të tretin e kshu me radhë, derisa një ditë, pas shumë takimesh u puthëm. Isha i mpirë, nuk u kuptoja çfarë po bëja, por nuk kishte kthim pas. Koha eci dhe e gjeta veten të përfshirë, aq sa tashmë kishim krijuar një lidhje, një lidhje që nuk e dinte askush. Kanë kaluar dy vite nga ajo ditë, dy vitet më të bukura të jetës sime, dy vitet me intensitetin në të madh. Përgjatë kësaj kohe kam njohur gjithçka, dashurinë, respektin, mirënjohjen, mbështetjen e ndihmën që i kemi dhënë njëri-tjetrit.
Pak njerëz e dinë për ne, por akoma kemi shumë sfida për të kaluar. Sfida ime më e madhe është familja, akoma nuk kam gjetur forcën t'ua them që unë jam si gjithë të tjerët, me zemër, i përgjegjshëm, i dashur, me nerva, i gëzuar, idiot, budalla, zemërmirë, i dhimbsur... por GAY. Vetes ia pranova, por duhet shumë punë për t'i treguar nënës sime se gjithsesi, në çfarëdo lloj rrethane, unë jam i biri i saj perfekt, ashtu siç ajo më ka njohur gjithmonë!