Lori Hoxha është treguar vazhdimisht e hapur në lidhje me problemet e shëndetit mendor, duke folur mbi përvojën e saj me ankthin dhe panikun. Nisur nga kjo, një pjesë e mirë e mesazheve që ndjekësit i dërgojnë blogeres lidhet pikërisht me mënyrën si ia doli të përmirësonte simptomat e ankthit. Në mungesë të një videoje në YouTube, Lori iu drejtua Instagramit në një seancë pyetje-përgjigje me ndjekësit.
“Nuk është diçka e thjeshtë për të folur. Ka ende shumë paragjykim dhe turp në lidhje me këtë temë, por e shoh sa të interesuar jeni në lidhje me ankthin, ndaj do të përpiqem të ndihmoj sadopak,” shkruan ajo.
Çfarë ta shkakton ankthin?
“Nuk e di se çfarë e shkakton, fillimisht. Përjetova atak paniku për herë të parë në vitin 2012, krejt papritur. Tani mendoj se vjen si pasojë e frikës për shëndetin dhe mendimeve të shumta.”
Ke patur simptoma fizike? Për një periudhë të gjatë, unë ndieja një shtrëngim në gjoks.
“Po!!! Kjo më shqetësonte. Për mua ishte e pamundur që ankthi të kishte dhimbje [fizike] dhe kisha akoma më shumë ankth sepse sa herë që përjetoja një simptomë të re, mendoja se kishte të bënte me diçka më serioze. Simptomat: probleme me frymëmarrjen, shikim i turbullt, ndjesi e nxehtë ose e ftohtë, dridhje trupi, thatësi në gojë, rrahje të pakontrolluara të zemrës, marramendje, dhimbje barku, dhimbje këmbësh dhe shumë të tjera. Në një farë pike, mendoja se kisha sklerozë, kancer ose tumor në tru.”
More mjekime?
“Nuk mora mjekime të përditshme, por kisha me vete gjatë gjithë kohës qetësues në rast ataku paniku. Jam munduar gjithmonë t’i evitoj mjekimet sepse kam besuar të forca e trurit dhe trupit tim, por ndonjëherë hormoni që mungon në trup dhe që shkakton këtë sëmundje duhet mbajtur nën kontroll. Sigurisht nuk jam mjeke dhe gjithmonë duhet të konsultoheni me një mjek. Unë flas vetëm nga eksperienca ime.”
Çfarë mbështetje pate nga njerëzit e afërm?
“Kisha nevojë që të gjithë ta dinin se ç’po përjetoja, gjë që më bënte të ndihesha më e sigurt. Motra ime e vogël vuan nga ankthi gjithashtu dhe thjesht të komunikuarit me të më bën të mendoj se një ndjenjë e tillë është ‘normale’. Mendoj se gjëja më e rëndësishme kur ke një problem me shëndetin mendor është të mendosh se është normale dhe dikush tjetër e ka përjetuar dhe e kupton se ç’po kalon. Sa herë nuk ndihem mirë, flas me të ose me njerëzit që më rrethojnë. Më bën të ndihem mirë. Shënim: Nëse njihni dikë që është përballur me një problem të tillë, thjesht flisni me të.”
Kur përjetove për herë të parë ankth? Para të njëzetave, unë nuk e kisha idenë se ç’ishte ankthi.
“Në vitin 2012. Isha në një sallon bukurie dhe mendova se po përjetoja një atak zemre dhe vrapova për në spital. Askush nuk më tha se kisha atak paniku dhe bëra disa vizita nëpër spitale për tetë muaj me radhë. Zërë se u largova nga shtëpia. Braktisa shkollën. Mendoja se kisha ndonjë sëmundje të rrallë dhe doktorët nuk po e gjenin se ç’kisha derisa një ditë kërkova në Google në lidhje me simptomat e mia dhe gjeta forume për atakun e panikut dhe ankthin. Aty gjeta veten. Pastaj e dija se ç’kisha dhe nisa të edukoj veten. Kam vuajtur nga ankthi që prej asaj kohe. Periudha më e vështirë ka qenë viti 2012 dhe vera e kaluar.”
A u këshillove me një psikologe?
“Po. Të flasësh me dikë të ndihmon.”
Shqetësohem më shumë seç duhet. Ndonjë këshillë?
“Bëj diçka tjetër. Shiko një film ose tv. Unë shoh ‘Friends’. Shko në palestër ose fillo meditimin. Shkarko një aplikacion të quajtur ‘Headspace’ dhe provo nëse funksionon për ty.”
A ka ndonjë vend specifik ku më së shumti përjeton ankth?
“Vendet publike, vendet e mbyllura ose kudo tjetër ku mendoj se nuk mund ta përballoj një situatë të caktuar.”
E ke zbuluar se çfarë ta shkakton ankthin?
“Jo ekzaktësisht. Mendoj se është gjenetike dhe/ose e shkaktuar nga traumat në jetë. Nuk më intereson arsyeja pse. Kam kuptuar që nuk ka arsye që të pyes ‘pse mua?’, ndaj në vend të kësaj përqëndrohem te çfarë mund të bëj për të ndihmuar veten.”
Ke përdorur medikamente?
“Jo. Kaloi vetë.”
Përjetoj ankth kur mendoj se mund të humbas një njeri të dashur. Është periudha më e keqe për mua.
“Kjo është frika ime më e madhe në jetë, por kam kuptuar që çfarëdo të ndodhë, unë dhe ankthi im nuk kemi forcë ta ndalojmë. Ndaj lëre në dorë të Zotit.”
Largohet ndonjëherë përfundimisht apo shfaqet në periudha të ndryshme të jetës?
“Nuk e di. Ndoshta ka njerëz që e kanë atë fat të mirë. Mua më rikthehet herë pas herë dhe besoj se ky është fati im.”
Përfito nga mundësia dhe thuaju njerëzve të mos futen në Google për të parë simptomat.
“Rregulli numër 1 i ankthit. Google është armiku im më i madh. Kam bërë çdo analizë të mundshme 3-4 herë sepse mendoja se isha e sëmurë, sipas Google. Thjesht mos e bëni. Kërkoni forume të njerëzve që flasin për simptomat që kanë nga ankthi dhe vetëm kaq.”
A nuk mendon se e ekzagjëron paska?
“Jo, nuk e mendoj fare. Në fakt, mendoj që nuk duhet të gjykosh një situatë që nuk e ke kaluar dhe mendoj po ashtu që njerëzit si ti e mendime të tilla janë arsyeja pse njerëzit në shoqërinë tonë mbyllen në vetvete dhe nuk ndihen të lirshëm të flasin për të tilla probleme e si rrjedhojë i vuajnë më rëndë e më gjatë. Sepse nuk del në analiza dhe nëse nuk e sheh doktori në eko, nuk ekziston apo jo? Edukohu.
Si mund të ketë këto probleme dikush që në dukje ka një jetë perfekte?
“Ankthi nuk zgjedh. Askush nuk ka jetë perfekte. Duhet një fraksion sekondi për të bërë një foto. 24 orët e tjera nuk i sheh njeri.”
“Dëgjoni, nuk është e thjeshtë të flasësh për diçka të tillë dhe ju e dini sa shumë gjykohem unë në lidhje me çfarë bëj dhe çfarë them. Por më bën të ndihem mirë të lexuarit e mesazheve tuaja dhe fakti që mund të ndihmoj dikë. Mos i merrni shumë seriozisht rrjetet sociale, merrni nga ato çfarë ju nevojitet. Të flas për një problem të tillë nuk është mënyrë për të përfituar vëmendje. Mund ta marr lehtësisht me një foto me bikini. E di që fotot e mia janë të lezetshme dhe marr kohë për t’i kuruar, por ndonjëherë ndihem se nuk po e përdor platformën time për të treguar se kush jam në të vërtetë. Rrjetet sociale të shkatërrojnë dhe bëhen një rreth vicioz mbi të dukurit bukur, të bërit foto, marrjen e like-ve, të ndjerit mirë për pak çaste dhe me të vërtetë nuk e dua më një gjë të tillë. Pra, nëse mund të hedh dritë mbi diçka, dua të jetë për shëndetin mendor,” përfundon ajo.