Skandali seksual në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan u disktua në “Opinion”, ku Saimir Kodra tregoi me detaje si u filmua gjithë ngjarja.
“Nuk dua të dekonspiroj shumë e të them ndonjë gjë që duhet thënë më pas,” u shpreh ai. “Nuk keni parë gjë akoma. Nuk ka lidhje me këtë histori, por për fat të keq nuk është e vetmja në universitetet tona.”
Në vijim, nisur nga dyshimi se deri ku e ka provokuar vajza, Kodra sqaron: “Duke pasur eksperiencë, gjëja e parë që kam bërë kur kam takuar studenten është se i kam thënë të vishet me xhinse dhe me bluze tutash. Po ta shohësh videon me kujdes, është një moment kur kamera i kap këmbët dhe është me xhinse[...] Kodi i veshjes nuk ka qenë provokativ. Ka qenë mesi i vapës dhe ajo ka pasur bluzë me mëngë të gjata dhe kjo duket në video.”
Ndër të tjera, ai shton se mes studentes dhe pedagogut ka pasur një debat sezonin e kaluar. “Ia thotë në bisedë profesori, i thotë ‘ke bërë namin ti atëherë’. Siç duket, [studentes] i erdhi shpirti në maj të hundës dhe na kontaktoi.”
“Po ta shohësh me kujdes videon, në fillim, janë dy vajza të tjera, për të cilat profesori thotë ‘me këto mbarova punë’. Pra, ky njihej si tipi që të ndihmonte. Në disa pjesë i thotë që nuk e bëj për lekë. Pra, te kjo vajza, që është e pashme se ashtu e ka bërë natyra, nuk mori lekë, pa diçka tjetër.”
Kodra u shpreh se përgjimi u realizua në harkun kohor prej gati një jave dhe përkon me sezonin e provimeve qershor-korrik. “Vajza ka disa provime, por nuk po jap të dhëna, që të mos identifikohet për qëllime etike.”
Në përfundim, Saimiri theksoi edhe njëherë që “vajza është këshilluar që të mos e provokojë”. “Unë e dija shumë mirë se me çfarë do të përballesha pasi të transmetohej videoja, ndaj nuk kisha fare interes në këtë pjesë,” përfundoi ai, ndërkohë që të tjerët në panel shtuan se “debati i provokimit është një debat që nuk duhet bërë”.
Pra, nuk ka rëndësi nëse është provokuar ose jo, nuk është ky problemi. Problematika qëndron në faktin se profesorët ofrojnë ose pranojnë të tilla “shërbime” në këmbim të marrjes së provimeve, ndërkohë që janë përzgjedhur dhe paguhen për një mision krejt tjetër.
Artikuj të rekomanduar: Arrestohet pedagogu që kërkoi favore seksuale: Sa pritet të dënohet?
Flet pedagogu që kërkoi favore seksuale: ‘Ishte një kurth’