Një grua amerikane pretendon se financiari i diskredituar Jeffrey Epstein e detyroi atë që të bënte seks me princ Andrew-n të Britanisë së Madhe, kur ajo ishte 17 vjeç.
“Kjo nuk është një histori seksi, kjo është një histori trafikimi, është një histori abuzimi dhe një histori e sjelljes së djemve të mbretërisë,” tha Virginia Roberts Giuffre në një dokumentar të BBC-së.
Në intervistën e pak kohëve më parë dhënë po për BBC, princ Andrew mohoi akuzat e Giuffre, ku theksoi se nuk i kujtohej takimi me të. “Nëse je burrë, të bësh seks është diçka pozitive,” shpjegoi princi. “Është shumë e vështirë të harrosh diçka pozitive dhe unë s’mbaj mend asgjë.”
Ai mbrojti gjithashtu marrëdhëniet me Epstein, i cili u akuzua dhe dënua për trafikim minorenësh, prostitucion minorenësh dhe abuzim seksual, ndërsa në gusht vrau veten në qeli. Intervista e tij u konsiderua një katastrofë dhe në ditët në vijim, Andrew u detyrua të largohej nga detyrat mbretërore.
Giuffre – tani 35 vjeçe dhe nënë e tre fëmijëve – tha për BBC-në se ajo i kalonte miqve të fuqishëm të Epstein-it “si një pjatë me fruta”.
Ajo tha se ishte dërguar te Andrew tri herë, nga 2001 deri në 2002: një herë në Londër në shtëpinë e të dashurës së Epstein, një herë në rezidencën e tij në Nju Jork dhe një herë në një ishull privat në Karaibe, në pronësi të Epstein.
“Nuk zgjati shumë,” tha ajo për tre takimet e pretenduara me princin. “Ai u ngrit dhe tha ‘faleminderit’. Unë u ula në shtrat dhe thjesht shihja e tmerruar. Ndihesha e ndyrë,” tha Giuffre.
Princ Andrew, në intervistën për BBC, e pati të pamundur të shpjegonte një fotografi ku shfaqej në shoqërinë e Giuffre-s, duke thënë thjesht se fotografia mund të jetë montazh.

Fotografia, e cila qarkulloi për herë të parë në vitin 2011, dyshohet se është bërë në shtëpinë e Ghislaine Maxwell në Londër - vajza e vogël e manjatit britanik Robert Maxwell, i njohur edhe për mashtrimet e tij në biznes. Pas vdekjes së të atit në 1991, Ghislaine u shpërngul në Shtetet e Bashkuara dhe u bë krahu i djaththë i Jeffrey Epstein. Ghislaine ishte e dashuria e Epstein dhe mikeshë e ngushtë me princin Andrew.
Maxwell është përshkruar nga viktimat e Epstein si “zonja e tij”, e cila e ka “furnizuar” me vajza dhe gra të reja, të cilat janë përdorur nga ai.
Përsa i përket fotografisë, Virginia tha: “Unë mendoj se bota po sëmuret nga këto justifikimet qesharake. Është një foto e vërtetë. Unë ia kam dhënë FBI-së për ta hetuar dhe është një foto autentike. Ajo shtoi se fotoja ka një shënim mbrapa, datën 13 mars 2001.
Kur Virginia Giuffre tregoi historinë e saj për Daily Mail në vitin 2011, reporteri Sharon Churcher shkroi: “Nuk ka asnjë të dhënë se ka pasur një marrëdhënie seksuale mes Virginia-s dhe princ Andrew-t, ose që Andrew e dinte se Epstein e paguante atë që të kryente marrëdhënie me miqtë e tij.”
Por në një proces gjyqësor në vitin 2015, Giuffre, mbiemri i vajzërisë i së cilës është Roberts, u tha se ajo “ishte detyruar për të bërë seks me princin, kur ishte e mitur dhe kjo kishte ndodhur në tri vende të ndryshme”.
Në intervistë, ajo tregoi edhe për takimin dhe mënyrën se si u prezantua me princin Andrew në mars të 2001. Virginia pretendon se ata u takuan në një klubin e natës Tramp në Londër, ku Andrew i kërkoi që të kërcenin. “Dua të them, ishte kërcimtari më i tmerrshëm që kam parë në jetën time. Ai po djersitej. Djersa e tij binte gjithandej. Por unë duhet të dukesha e lumtur, sepse këtë gjë prisnin nga unë Jeffrey dhe Ghislaine.”
Pas intervistës për Emily Maitlis në Newsnight në BBC, princ Andrew hoqi dorë nga detyrat mbretërore.
Ekspertja e mbretërisë, Katie Nicholl, tha për Entertainment Tonight se qe pikërisht mbretëresha Elizabeth II që mori vendimin për Andrew-n. Sipas Nicholl, mbretëresha ishte e vetëdijshme se princi Andrew po shkaktonte dëme të mëdha në monarki ndaj duhej të tërhiqej.
“Në takimin me të, iu bë shumë e qartë se nuk kishte asnjë zgjidhje tjetër përveçse të hiqte dorë nga detyrat mbretërore. Duhet të ketë qenë tepër e vështirë për mbretëreshën,” tha Katie.
Deri tani, është ende e paqartë si do të vijojë çështja e princit i cili gjerësisht është konsideruar si djali i preferuar i mbretëreshës. Të tjera burime thonë se princi Andrew do të mbajë një profil të ulët për shumë kohë.
Burimi: The Washington Post