Showbiz dhe TV

Njerëzit kanë të drejtë të pyesin Dajana Shabanin për ‘Zogun e Tiranës’

Shkruar nga Anabel

3 Dhjetor 2019

Njerëzit kanë të drejtë të pyesin Dajana Shabanin

Pas dy sezonesh në emisionin e mëngjesit në Ora News – emision që tani e drejtojnë Kelvi Kadilli dhe Arjola Shehu – Dajana Shabani, Besmir Metani dhe Hermes Nikaj (Zogu i Tiranës) u rikthyen në ekran me një tjetër format, të titulluar “La Casa de Los 3s.” Të dielën e 24 nëntorit, Hermes Nikaj u arrestua nga policia me akuzën e prostitucionit dhe shfrytëzimit të prostitucionit, duke ngritur pyetje kështu mbi të ardhmen e emisionit, sado jo fort i suksesshëm është ai.

Natyrshëm, të gjithë ndjekësit kthyen sytë nga Dajana Shabani, që është figura kryesore, për njëfarë prononcimi, një fjalë, një mohim për të folur. Akuzat e ngritura mbi Hermesin nuk janë të lehta dhe në të tilla raste, kush ka punuar pranë tij dhe është figurë publike i detyrohet audiencës një shpjegim. Por Shabani mendon se ky interes është i tepërt.

“Po nuk u çmenda dhe një javë në këtë provincë, ia hodha për tërë jetën. Qenke si puna ime, që më pyesin njerëzit për Zogun (a thua se e kam pjellë unë), ndërkohë që tërmetet nuk pushonin! #Albanistan,” shkruan ajo nën një video të Edi Ramës, ku një banor i thotë se i kanë marrë gruan e ia kanë çuar në Golem.

Më pas, ajo iu përgjigj një komentuesi që tha se, “Çik si me kunjë kjo, gjithsesi, kjo është Shqipëria. As do habitesha po të kthehej Zogu si pjesë e stafit. Nuk përbën çudi[...]”

“Sa bukur flisni ju artistët! E para nuk është kunjë, por thashë të vërtetën. E dyta, unë e kuptoj që gjyqin këtu ta bën populli dhe pa ditur mirë historinë. Por ajo që nuk kuptoj është se si mund të pyetet një kolege për jetën private të dikujt? Aq më tepër në një tension e ankth që ishim. Nejse, nuk pres asgjë nga ata njerëz që më shumë i eksiton rrëshqitja e sapunit të Zogut se gruaja në shtëpi,” shkruan Shabani.

Përtej tragjedisë së tërmeteve, sa të gabuar janë njerëzit që kërkojnë një prononcim nga ajo? Sipas nesh, aspak. Edhe nëse procesi gjyqësor s’ka përfunduar ende, Shabani dhe Metani u detyrohen një shpjegim shikuesve, sado qofshin ata. A do të kthehet Hermes Nikaj në ekran kur të mbarojë gjithë gjullurdia? A do ta mbështesni publikisht? A i kundërshtoni dhe dënoni veprimet për të cilat akuzohet? A do të prisni një moment të dytë për të folur?

Pra, meqë ra fjala, ç’u bë me Zogun?

Njerëzit kanë të drejtë të pyesin Dajana Shabanin

Njerëzit kanë të drejtë të pyesin Dajana Shabanin

Njerëzit kanë të drejtë të pyesin Dajana Shabanin