
Pas një sërë personazhesh të huaj, modelja Niki Delijorgji ishte e para shqiptare që pohoi, të paktën publikisht, se përdor gjakun e periodave si maskë për lëkurën. “Oh Zot, nuk e dija se Story im do të shkaktonte kaq shumë debat. Kaq shumë mesazhe shokuese nga vajzat gjithashtu. Zonjusha, gjaku juaj ka shumë vitamina dhe është një superushqim. Ju këshilloj të keni më shumë raport me trupin tuaj dhe sekrecionet,” shkroi ajo.
Nisur nga reagimi i njerëzve, të cilët iu drejtuan Instagramit dhe Facebookut të Anabel të çuditur në lidhje me maskën në fjalë, iu drejtuam një eksperti të fushës. Anabel.al kontaktoi me dermatologen e njohur Erjona Shehu në lidhje me këtë “teknikë”, që duhet thënë se nuk është fort e panjohur në internet.
“Në fluksin menstrual ka 1.35% gjak, inde dhe lëngje të mitrës, sekrecione vaginale dhe baktere gjenitale dhe anale,” theksoi fillimisht Shehu. “Nuk ka ndonjë studim për momentin që të mbështesë përdorimin e gjakut menstrual në përmirësimin e lëkurës apo mbajtjen e saj në gjendjen më të mirë të mundshme.”
Ashtu siç e kemi theksuar edhe ne në këtë artikull, dermatologia vuri në dukje se ky lloj trendi nisi nga një blogere australiane në 2018-n, e cila u frymëzua nga një piktore kanadeze që përdorte gjakun e saj menstrual në piktura.
Në vijim, Shehu shtoi:
“Ky lloj trendi është bërë viral kudo ku është provuar dhe në disa raste mbetet më shumë një përpjekje për të tërhequr vëmendjen. Nëse duam të përdorim lëngjet biologjike të trupit tonë për të mbajtur në formë lëkurën, PRP mbetet zgjidhja ideale, e provuar edhe shkencërisht për përfitimet që i jep lëkurës, flokëve, artikulacioneve dhe së fundmi edhe në stomatologji dhe kirurgjinë maxillo-faciale (deformimet e skeletit të fytyrës).”
Shën.red. PRP (platelet-rich plasma), plazma e pasur me trombocite njihet edhe si Vampire Facial; është një terapi që realizohet nga mjekët specialistë, të cilët marrin nga gjaku juaj plazmën e pasur me trombocite. Trombocitet përmbajnë nivele të larta të faktorëve ushqyes, rritës dhe stimulues.
Artikull i rekomanduar:
Niki Delijorgji përdor gjakun e periodave si maskë për fytyrën