Pas skandalit seksual në mbretëri, dukesha e York-ut, Sarah Ferguson, reagoi duke thënë se ish-bashkëshorti i saj, princ Andrew, është “njeriu më i mirë” që njeh dhe këmbënguli se pretendimet se ai ka kryer marrëdhënie me adoleshente të abuzuara nga pedofili Jeffrey Epstein janë “të gjitha një marrëzi”.
Në një intervistë për Vogue Arabia, dukesha hodhi poshtë pretendimet e Virginia Giuffre, e cila u shpreh se Epstein e kishte detyruar të kryente marrëdhënie seksuale me Andrew-n.
Sarah Ferguson, e cila u nda me princin në 1996-n dhe kanë bashkë dy vajza, princeshën Beatrice dhe Eugenie, tha për Vogue Arabia: “Gjashtë muajit e fundit kanë qenë të vështirë për vajzat e mia dhe mua. Ishte e vështirë të shihje atë njeri të mrekullueshëm të kalonte një dhimbje kaq të madhe.”
Shën.red. Pas divorcit të saj nga princ Andrew, Ferguson u lejua të mbante titullin e Dukesha e York-ut.
“Ai është njeriu më i mirë që njoh,” shtoi më pas. “Gjithë çfarë ka bërë për Britaninë është e jashtëzakonshme dhe e gjitha kjo është e pakuptimtë.”
Virginia Giuffre, e cila është nga gratë që akuzon Epstein, pretendon se është detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale me princin në vitin 2001, kur ishte 17 vjeçe.
Pallati i ka mohuar akuzat. Sidoqoftë intervista e tmerrshme e princit për Emily Maitlis në BBC, në të cilën nuk shprehu keqardhje për viktimat e ish-shokut të tij të dënuar për abuzim dhe trafikim të miturish, ishte e mjaftueshme për ta detyruar që të tërhiqej nga detyrat në mbretëri dhe nga jeta publike.
Intervista e dukeshës së York-ut në Vogue Arabia mendohet të jetë realizuar para se ish-bashkëshorti të tërhiqej nga jeta publike.