
Kur zyra e UN Women (Enti i Kombeve të Bashkuara për barazinë gjinore) në Tiranë trokiti në dyert e Anabel për bashkëpunim në fushatën 16-ditore, ne e ndjemë shumë të afërt këtë fushatë me filozofinë tonë. Që në fillimet e saj, Anabel krahas informimit dhe argëtimit, gjithmonë ka synuar të ndërgjegjësojë vajzat dhe gratë lexuese mbi fenomene të ndryshme që prekin jetët e tyre.
Gjatë këtyre viteve, në faqen tonë në Facebook ne herë pas here kemi ndarë rrëfime nga lexuese të cilat janë përballur me një formë dhune në jetën e tyre, përfshirë edhe përdhunimin. Ajo çfarë na ka shqetësuar gjithmonë në këto diskutime ka qënë perceptimi i përgjithshëm për përdhunimin. Një pjesë e mirë e të rinjve, djem apo vajza e justifikonin këtë akt të rëndë dhe çfarë na ka trishtuar më shumë është fakti, që në shumë prej diskutimeve, ishte viktima ajo që fajësohej dhe jo përdhunuesi.
Ai shihej si dikush që kishte rënë pre e provokimit të vajzës, pre e veshjes së saj provokuese, pra e sjelljes së saj të çiltër. Kjo nuk është e drejtë, ne nuk duhet ta mendojmë më kështu.
Ndaj në diskutimin UN Women, ne vendosëm të fokusoheshim që në fillim në perceptimin që njerëzit kanë për përdhunimin.
Deamishel dhe Alberta, dy prej protagonisteve të serialit “Hostel by Anabel”, dolën nëpër rrugë me një tabelë ku ishin ngjitur foto vajzash në ambiente/rrethana e veshje ndryshme dhe duke “sajuar” një lajm përdhunimi, pyetën kalimtarët, nëse ata mendonin se ndonjë nga vajzat në foto mund të ishte viktima e përdhunimit.
Fatkeqësisht, përveç një zotërie që u përgjigj kategorikisht “Asnjë prej tyre” , të tjerët (kryesisht vajza e djem të rinj), hamendësonin për vajza në foto të caktuara, duke gjykuar nga “fundi i shkurtër”, “pamja e urtë dhe e brishtë”, “gota e alkoolit që mban në dorë”, etj. Shumë pafajësisht, të anketuarit vërtetuan se ekziston një perceptim i gabuar për viktimën e përdhunimit, një perceptim që automatikisht fajëson vajzat nga veshja, nga sjellja dhe justifikon aktin e shëmtuar.
Por të pyeturit në Tiranë nuk janë të izoluar në këtë hamendësim. Në të gjithë botën ekzistojnë disa mite për përdhunimin, të cilat ne vendosëm t’i shtjellonim më në detaje në zyrat e Anabel, me praninë e një të ftuare speciale, një imazh pozitiv për të rinjtë si moderatorja e “Pop Culture” në Top Channel, Dojna Mema. Gjatë bisedës, Ana, Deamishel, Alberta dhe Dojna, rrëzuan mitet globale dhe në fund të gjitha dhanë një mesazh: “Asnjë grua nuk dëshiron të përdhunohet apo të dhunohet dhe nuk ka asnjë justifikim për çdo lloj forme dhune seksuale.”
Sipas statistikave, 8.6% e vajzave/grave përdhunohen çdo vit dhe vetëm një përqindje e papërfillshme e tyre raportojnë në polici. Kjo do të thotë se abuzuesi/përdhunuesi në këtë rast shëtit i lirë nëpër qytete, nuk dënohet dhe rrezikon të përsërisë të njëjtin akt me vajza/gra të tjera. Kjo ishte një tjetër statistikë rrënqethëse dhe u përforcua më shumë gjatë dy diskutimeve në Facebook-un e Anabelit.
Në diskutimin e parë me temë: “Na tregoni historinë tuaj të përdhunimit”, numri i letrave në inbox ishte shumë i madh. Dhjetëra vajza e gra në anonimitet na rrëfyen se ishin dhunuar seksualisht kryesisht nga partnerët dhe nga ish-partnerët e tyre. Disa prej tyre ishin përdhunuar nga të afërm në mosha të mitura. Asnjë prej tyre nuk kishte denoncuar në polici, të frikësuara se mund të sulmoheshin apo të gjykoheshin pas denoncimit.
Madje edhe kur partnerët, vëllezërit apo miqtë e tyre meshkuj mësonin për përdhunimin, sërish, ata edhe po t’i pranonin, nuk bënin asgjë për të denoncuar aktin dhe për të dënuar dhunuesin. Kështu pohuan vetë djemtë për Anabel në diskutimin e dytë në Facebook: “Çfarë keni bërë kur keni dëgjuar që shoqja/partnerja/motra juaj është përdhunuar.”
Frika se do të humbin familjen, frika se nuk do të shohin më fëmijët, mosbesimi ndaj policisë, ishin arsyet kryesore që shumë gra pohuan për Anabel edhe kur bëhej fjalë për dhunën fizike në familje, gjatë diskutimit të fundit, i cili përfshinte histori për të gjitha format e dhunës.
Frymëzuar nga statistikat dhe nga rrëfimet e vetë vajzave dhe grave shqiptare, së bashku me UN Women, ne krijuam një tjetër video-mesazh, që këtë rradhë përqëndrohej në procesin e të menduarit të një vajze menjëherë pas aktit të përdhunimit. Një prej protagonisteve të “Hostel by Anabel”, Viola Gjoleka, interpretoi me mjeshtëri në rolin e një vajze, e cila vendos të mbyllë gojën dhe të mos denoncojë dhunuesin, duke hamendësuar se prindërit do të zhgënjeheshin dhe do të humbnin besimin dhe njerëzit do ta gjykonin.
Në fund të klipit, protagonistja vendosë të fshijë çdo provë dhe ta mbaj për vete dhimbjen. Video pëngjau me jetën e shumë njerëzve dhe kjo u dëshmua nga qindra mijëra shikimet dhe shpërndarjet në rrjetet tona sociale Instagram dhe Facebook.
Falë fushatës sensibilizuese të UN Women dhe interaktivitetit të madh të Anabel me ndjekësit e saj, ne mësuam shumë gjëra në këtë fushatë. Më e rëndësishmja: Përdhunimi nuk është një fenomen i izoluar që i perket një grupmoshe, klase sociale, tipologjie apo pamje të caktuar; përdhunimi nuk përzgjedh rrethana apo vende; përdhunes nuk janë vetëm të panjohurit, por mund të jenë edhe njerëz me të cilët ligjërisht ndan krevatin.
Ajo çfarë ne u munduam të dëshmojmë dhe çfarë urojmë që njerëzit të kenë kuptuar është se seksi është një zgjedhje personale dhe nëse një vajzë a grua në moshë adulte nuk ka pranuar me ndërgjegje të plotë aktin seksual, atëherë askush, për asnjë lloj arsyeje, nuk mund t’i japë të drejtë vetes të abuzojë me trupin e saj.
"Jo" është "Jo" dhe "Po" është "Po" dhe për aq kohë sa nuk ekziston një "Po", atëherë çdo lloj tentative është krim. Duke kuptuar këtë, ne si shoqëri mësojmë të zhdukim justifikimet, të mbrojmë viktimën në të gjitha rastet dhe të dënojmë automatikisht dhunuesin. Dhe sa më të ndërgjegjshëm të bëhemi që përdhunimi është një krim, aq më shpresë u japim edhe viktimave që të kërkojnë ndihmë dhe të shprehen, pa patur frikën e paragjykimit.