“Jeho”, programi që u cilësua si zëvendësuesi i “Top Fest”, pritet të fillojë së shpejti në Top Channel. Juria e spektaklit të ri muzikor do të përbëhet nga Kledi Bahiti, Elgit Doda dhe Megi Pojani.
Të tre emra aktivë së fundmi, Bahiti dhe Doda me projektet muzikore ndërsa Megi Pojani me xhirimet e sezonit të tretë të “Hostel by Anabel", do të vlerësojnë konkurrentët në lidhje me projektet e tyre muzikore. News31.al ishte i pari që zbuloi emrat, të konfirmuar tashmë edhe nga burime të Anabel.al.
Në festival, në të cilin drejtimi artistik do t’i besohet Alban Males ndërsa moderimi Fjoralba Ponarit, do të prezantohen 4-5 konkurrentë çdo natë. Pas vlerësimit të jurisë, pritet të organizohen dy gjysmëfinale dhe një finale e madhe.
Këngët e konkurrentëve do të transmetohen në Top Albania Radio, My Music dhe Top-Channel.tv në mënyrë që publiku t’i dëgjojë. “Jeho është një festival i mirëfilltë i muzikës moderne shqiptare, në sensin që nuk ka ndonjë barrierë ashtu si Top Fest,” u shpreh Alban Male në “E Diell”.
“Jeho” do të transmetohet çdo të dielë, për tre muaj me radhë.