Shqipëria

Sa kushton mesatarisht një recetë për Covid

Shkruar nga Anabel

31 Tetor 2020

Sa kushton mesatarisht një recetë për Covid

Trajtimi i individëve të infektuar me Covid-19 ndryshon në varësi të rrezikshmërisë së simptomave, por edhe llojit të barnave të përzgjedhura për trajtim. Sidoqoftë duke analizuar recetën e zakonshme që jepet për të sëmurët me Covid-19, kostoja mesatare e recetës mund të shkojë diku te 18,000 lekë – 20,000 lekë.

Euronews.al publikoi një recetë të zakonshme për të infektuarit me Covid-19, të cilën e konfirmuan për Anabel.al edhe dy farmaciste, të cilat preferuan të qëndronin anonime.

Receta është kështu:
- kurimi me 10 ditë me dy antibiotikë të ndryshëm
- kurimi me hollues standard të gjakut për rreth një muaj
- një kortizonik bazë për 10 ditë
- vitamina C dhe D për një muaj
- zink për një muaj
- barna për të ulur temperaturën

“Kostoja totale e kurës shkon afërsisht 18,000 lekë ose 19,000 lekë, por kjo varet nga lloji i barnave, sepse çmimet ndryshojnë. Për shembull një qetësues i thjeshtë kushton 39 lekë ose 500 lekë. Kështu që kostoja ndryshon edhe në varësi të llojit të ilaçeve që zgjedhin pacientët. Duhet thënë se vitaminat gjithashtu kanë çmime të ndryshme,” tha njëra prej farmacisteve. Tjetra shtoi se kostos totale zakonisht i shtohet edhe 4,000 lekë për oksimetrin, pajisjen që mat oksigjenin në gjak.

Euronews.al dhe burimet e Anabel.al konfirmojnë se disa pacientë preferojnë të trajtohen në shtëpi me terapi me oksigjen. “Bombolat e oksigjenit merren me qira në farmaci, por duhet thënë se jo të gjitha farmacitë i kanë, sepse ka qenë shumë e vështirë për distributorët farmaceutikë që të tilla pajisje t’i sigurojnë në një situatë pandemie. Zakonisht kushtojnë rreth 80,000 lekë nëse blihen ose zakonisht 4,000 lekë/ditë nëse merren me qira,” shpjegoi një prej farmacisteve.