Mendja

Vetëvrasjet e pacientëve me Covid: Specialistja sqaron sa keq kanë ndikuar ~edhe~ mediat

Shkruar nga Anabel

11 Nëntor 2020

Vetëvrasjet e pacientëve me Covid: Specialistja sqaron sa keq

Në një intervistë në “Wake Up” në lidhje me vetëvrasjet e pacientëve të infektuar me Covid-19, Dr. Arlinda Cerga, e cila prej 27 vitesh jeton në Angli ku ushtron profesionin si psikologe dhe në të njëjtën kohë është vëzhguese dhe studiuese për shëndetin mendor, u shpreh se vetëvrasja te pacientët me Covid-19 është tashmë fenomen global, por ndryshe nga rasti i Shqipërisë, vendet perëndimore nuk i bëjnë publike ngjarje të tilla.

“Në fakt nuk ndodh vetëm në vendin tonë, por merr më tepër vëmendje mediatike në vendin tonë. Fatkeqësisht është një fenomen global. Rritja e vetëvrasjeve është ajo për të cilën ne kemi folur që në mars dhe në prill ku kemi thënë se janë shkak i problemeve të shëndetit mendor dhe rritja e stresit psikologjik gjatë kësaj periudhe, sidomos te pacientët e shtruar, është tepër e rritur. Ka disa faktorë që ndikojnë në rritjen e vetëvrasjeve dhe fatkeqësisht nuk po ndodhin vetëm në Shqipëri. Por përveç arsyeve psikologjike, ka edhe mjaft arsye të tjera që vijnë për shkak të sëmundjes Covid. Disa nga teoritë e shpjegimit të këtyre tentativave apo akteve të kryera është për shkak të mungesës së oksigjenit në tru që shkaktohen dëmtime në zona të caktuara dhe krijohet inflamim në tru, i cili shkakton pastaj ato që quhen incidente të konfuzionit, të halucinacioneve, të psikozave. Këto janë parë deri në 70% të rasteve, sidomos në reanimacion. Kjo është globale.”

E pyetur nëse ngjarje të tilla kanë ndodhur edhe në Angli, Dr. Cerga u shpreh:

“Po, po, ndodhin por nuk pasqyrohen në shtyp dhe media dhe këtu dua të ndalem [...] Ajo që shihet shumë është se Shqipëria dhe India i japin vëmendje të fortë mediatike duke krijuar në mënyrë të pavetëdijshme një cikël imitimesh të vetëvrasjeve. Është pjesë e udhëzimeve dhe politikave editoriale, sidomos në vendet perëndimore, që vetëvrasjeve nuk u jepet rëndësi sepse krijojnë imitim tek personat të cilët identifikohen me personin që ka kryer vetëvrasjen. Jepet sa më pak informacion, jo në titull kryesor dhe nuk duhet të jepen detaje, ku ndodhi, si ndodhi, sepse po të vini re, vetëvrasjet kanë ndodhur tek personat që vuajnë nga Covid, janë të gjithë meshkuj, kanë një identikit të caktuar, janë në spital dhe që të gjithë kanë pasur hedhje nga dritarja.”

Përsa i përket imitimit të sjelljes nga personat me probleme të shëndetit mendor, ajo përmendi rastin e vetëvrasjes së Robin Williams dhe ndikimit që pati te të tjerët.

“Pas vetëvrasjes së Robin Williams u rritën vetëvrasjet në të njëjtën mënyrë tek personat që vuanin nga depresioni. Nuk duhet të jepet mënyra e kryerjes së aktit sepse siç thashë përdoret. Sigurisht që publiku duhet të informohet, po ka disa udhëzime për mënyrë si duhet ta bëjmë. Nuk duhet të spekulojmë. Të mos flasim për mënyrën si u krye.

Dr. Arlinda Cerga theksoi se Shqipëria ka probleme me specialistët e shëndetit mendor në krahasim me vendet e rajonit.

“Fatkeqësia, për mua, në Shqipëri është që mjekët kanë trajnimin më të ulët përsa i përket shëndetit mendor në krahasim me rajonin. Nuk janë të përgatitur për të diagnostikuar, për të njohur simptomat. Stafi atje për mua janë heronj, por nuk janë të trajnuar për të njohur këto probleme [...] Ka një ushtri psikologësh që janë shkolluar dhe shumica e tyre janë pa punë dhe ky është momenti që ata, me një trajnim shumë të vogël të cilin OBSH e ka gati, [të ndihmojnë në diagnostikimin e problematikave].”