Mbretëria e Bashkuar është bërë kombi i parë perëndimor që ka miratuar një vaksinë kundër Covid-19, një moment ky i rëndësishëm për pandeminë e koronavirusit.
Vaksina e kompanisë amerikane farmaceutike Pfizer dhe kompanisë gjermane BioNTech është aprovuar për përdorim urgjent nga Autoriteti Rregullator i Barnave dhe Produkteve të Kujdesit Shëndetësor (MHRA).
Mbretëria e Bashkuar ka blerë 40 milionë doza të vaksinës, e cila ka rezultuar 95% efektive. Provat e fazës së tretë treguan se vaksina e Pfizer/BioNTech është efektive edhe te të rriturit dhe nuk shkakton shqetësime serioze.
Drejtori ekzekutiv i Pfizer, Albert Bourla, e cilësoi (via Guardian) autorizimin e vaksinës si "një moment historik në luftën kundër Covid-19".
Kompanitë BioNTech dhe Pfizer kanë kërkuar autorizim edhe nga Agjencia Europiane e Barnave (EMA) dhe Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) për të lejuar përdorimin urgjent të vaksinës së tyre. Megjithatë, vaksina duhet të ruhet në temperatura tepër të ftohta (-70 gradë Celcius) dhe kjo infrastrukturë nuk ekziston në shumë vende.