Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave i ka dhënë aprovim emergjent vaksinës së koronavirusit të zhvilluar nga Pfizer dhe BioNTech, vaksina e parë për Covid që miratohet në SHBA.
Komisioneri i FDA, Dr. Stephen Hahn, konfirmoi lajmin në një deklaratë të premten në mbrëmje. "Autorizimi i FDA për përdorimin emergjent të vaksinës së parë për Covid-19 është një moment historik në luftimin e kësaj pandemie shkatërruese që ka prekur kaq shumë familje në Shtetet e Bashkuara dhe në botë,” tha Hahn.
Vendimi i FDA-së vjen pasi disa shtete i dhanë miratimin vaksinës së Pfizer/BioNTech, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë dhe Meksikën.
Në një video të postuar në Twitter të premten në mbrëmje, Donald Trump vlerësoi vaksinën si "një nga arritjet më të mëdha shkencore në histori" dhe tha se doza e parë do të administrohej në më pak se 24 orë.
FDA autorizoi vaksinën, të quajtur BNT162b2, pas një prove që përfshiu më shumë se 43,000 njerëz ku u zbulua se ishte efektive në parandalimin e koronavirusit në 95% të rasteve.
Vaksina do të autorizohet për njerëzit e moshës 16 vjeç e lart. Pfizer po vazhdon të studiojë vaksinën tek fëmijët e moshës 12-15 vjeç. Ndërkohë ekspertët vazhdojnë të paralajmërojnë se, pavarësisht efektivitetit të vaksinës, nuk do të kthehemi menjëherë në normalitet.
Vaksina është ndërtuar me teknologjinë mARN, e cila ndihmon trupin të njohë atë që njihet si proteina “spike” e koronavirusit, e cila lejon virusin të hyjë në qelizat e trupit. Ndërsa vaksinat e tjera marrin informacion gjenetik nga një virus dhe e kultivojnë atë në një qelizë njerëzore, metoda mARN thjesht kërkon kodin gjenetik të virusit, duke shkurtuar kështu procesin e prodhimit. Megjithatë, vaksina Pfizer/BioNTech duhet të ruhet në temperatura tepër të ftohta (-70 gradë Celcius) dhe kjo infrastrukturë nuk ekziston në shumë vende, gjë që do të thotë se shumë shtete nuk kanë gjasa që të marrin këtë vaksinë.
Artikuj të rekomanduar:
Burimet: Guardian, New York Times