
Vrasja e 25-vjeçarit Klodjan Rasha nga një infektiv i policisë nxiti reagime të dhunshme në kryeqytet dhe protesta sporadike në qytete të tjera. Protesta e dhunshme tri-ditore është në qendër të vëmendjes së fundmi, por lind pyetja: A do të jetë e suksesshme?
Protesta të tilla tërheqin më shumë mbulim mediatik, tregojnë hulumtimet, për shkak të gazetarëve dhe mediave që kërkojnë të raportojnë se çfarë po ndodh, por studime për psikologjinë dhe strategjinë e lëvizjeve që kërkojnë ndryshim thonë se protestat e dhunshme kanë tendencën të zbehin mesazhin e vërtetë.
Në librin e saj, "Pse rezistenca civile funksionon: Logjika strategjike e konfliktit jo të dhunshëm", profesoresha e Harvardit, Erica Chenoweth, shpjegon pse fushatat e rezistencës civile tërheqin një numër më të madh të njerëzve. Në një intervistë me Qendrën Weatherhead për Çështjet Ndërkombëtare, botuar në The Harvard Gazette, ajo shpjegoi se pse protestat paqësore janë më të suksesshme:
“E para është një pjesëmarrje e madhe dhe e larmishme e njerëzve, që është e qëndrueshme. Gjëja e dytë është se [lëvizja] duhet të shkaktojë reagim te shumë forca, përfshirë edhe elitën e shoqërisë. Gjëja e tretë është se fushatat duhet të jenë në gjendje të kenë më shumë sesa vetëm protesta; duhet të kenë ndryshime dhe strategji. Gjëja e katërt është se kur përballen me shtypjen – e cila në thelb është e pashmangshme – ato të mos bien në kaos dhe të përdorin dhunën, sepse nëse ndodh kështu, thjesht po bëjnë atë që dëshiron pala për të cilën ata po protestojnë.”
Në po të njëjtën intervistë, ajo shpjegon se studimet e saj dhe të tjera vëzhgime tregojnë se protestat jo të dhunshme janë më efektive, sepse çojnë në reforma afatgjata. Ajo thekson se proceset e demokratizimit priren të jenë më të gabuara kur ndodhin pas konflikteve të armatosura dhe të dhunshme, në vend të fushatave të rezistencës civile.
Të njëjtën teori përkrah edhe Orion Lewis, profesor i shkencave politike në Middlebury College në Vermont, i cili studion prej kohësh protestat. Në një intervistë për programin radiofonik The World të Radio Radio International, ai tha: “Unë mendoj se suksesi i rezistencës jo të dhunshme është te aftësia e saj për të mobilizuar një numër të konsiderueshëm të njerëzve rreth një ideje të caktuar.”
A mjafton vetëm protesta? Sipas Lewis, jo. “Kur ka protesta që nuk janë të suksesshme në formulimin e mesazhit ose ankesave të tyre dhe përfshihen në dhunë, kjo zbeh mesazhin e të përgjithshëm. Pra, sa më i organizuar dhe sa më i aftë të jesh që të përpilosh qartë ankesat e protestës, aq më shumë do të jesh në gjendje të kontrollosh çfarë ndodh në rrugë. Kjo është ajo që e bën një protestë të suksesshme.”
The Atlantic raporton se në një studim, njerëzve iu treguan video të protestave kundër Trumpit. Disa prej tyre ishin të moderuara në raport me dhunën, ndërkohë që disa të tjera ishin ekstreme dhe dhuna ishte e pranishme kudo. Studimi tregoi se njerëzit e përkrahën më shumë Trump-in kur shihnin protesta të dhunshme.
Robb Willer, një sociolog i Universitetit të Stanfordit dhe bashkëautor i studimit, tha për Atlantic: “Kur rendi shoqëror prishet, kur prona shkatërrohet, kur ekziston rreziku i dëmtimit të njerëzve, kjo çon në një efekt të mos-identifikimit dhe qytetarët thonë: Unë nuk jam si këta njerëz.”
Studime të tjera të hershme tregojnë se protestat jo të dhunshme për të drejtat civile në vitet 1960 në SHBA, rritën votat e njerëzve të bardhë për kandidatët demokratë, të cilët mbështesnin të drejtat civile. Ndërkohë, protestat e dhunshme më vonë treguan një rritje të mbështetjes ndaj republikanëve.
Willer thekson se protestat e suksesshme nuk kanë dhunë (kujto protestën kundër armëve kimike në Shqipëri), sepse qëllimi është vetëm një:
Të fitosh aleatë midis njerëzve që nuk pajtohen me ty.