Që prej fillimit të pandemisë, aq sa është theksuar rëndësia e një vaksine, aq edhe është thënë se një vaksinë nuk do të zbusë ndikimin e pandemisë në jetën tonë brenda natës. Pas aprovimit të vaksinës së Pfizer/BioNTech, në qendër të diskutimeve kanë qenë sërish udhëtimet ndërkombëtare.
"Pasaporta e imunitetit" është një koncept që ka qarkulluar që në fillim të pandemisë për të lejuar njerëzit që supozohej të jenë imunë ndaj Covid-19 të qarkullojnë lirshëm. Me aprovimin e një vaksine, ideja ka ndryshuar dhe imuniteti përcaktohet përmes vaksinimit.
Sidoqoftë, deklaratat zyrtare për vlefshmërinë e të ashtuquajturave "pasaporta dixhitale të shëndetit" - ose "pasaportat e vaksinave" siç po njihen - aktualisht janë paksa konfuze. Vetë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) duket në kundërshtim me rekomandimet e veta.
Në një konferencë shtypi të OBSH-së në Copenhagen më 4 dhjetor, Dr. Catherine Smallwood, Zyrtare e Lartë e Emergjencave në OBSH në Europë, tha:
"Ne nuk rekomandojmë pasaporta të imunitetit dhe as nuk rekomandojmë testimin si një mjet për të parandaluar transmetimin përtej kufijve," tha ajo. "Ajo që ne rekomandojmë është që vendet të shikojnë të dhënat mbi transmetimin si brenda vendeve të tyre ashtu edhe përtej kufijve të tyre dhe të rregullojnë udhëzimet e tyre të udhëtimit për njerëzit në përputhje me rrethanat".
Por nga ana tjetër, nënshkroi një marrëveshje me Estoninë në tetor për të bashkëpunuar në zhvillimin e një certifikate dixhitale të vaksinimit - ose një "kartoni të verdhë" në certifikatat e letrave të vaksinës.
Sidoqoftë, pasaportat e vaksinave tashmë janë duke u bërë një çështje e rëndësishme. Në fund të nëntorit, Qantas (Australi), për shembull, u bë një nga linjat e para ajrore që njoftoi publikisht se do të lejonin vetëm pasagjerë të vaksinuar në fluturimet në të ardhmen.
Ndërsa pasaportat dixhitale të shëndetit synojnë të zgjidhin shumë nga problemet që lidhen me lirinë e lëvizjes të shkaktuara nga pandemia, ka nga ata që po ngrenë shqetësime të ligjshme mbi potencialin e abuzimit të lirive personale dhe privatësisë. Universiteti i Exeter në Mbretërinë e Bashkuar publikoi një raport më 3 dhjetor mbi ndikimin që pasaportat dixhitale të shëndetit do të kenë në të drejtat e njeriut siç parashikohet me ligj.
"Pasaportat dixhitale të shëndetit mund të kontribuojnë në menaxhimin afatgjatë të pandemisë Covid-19," tha për Euronews Ana Beduschi, një profesore e asociuar e drejtësisë dhe një nga autorët e raportit. "Megjithatë, ato paraqesin pyetje thelbësore për mbrojtjen e privatësisë së të dhënave dhe të drejtave të njeriut."
"Për t'ju dhënë një shembull, imagjinoni që autoritetet publike do të kërkojnë nga të gjithë që të shfaqin rregullisht statusin e tyre shëndetësor - për shembull, rezultatet e provave për Covid-19 ose të dhënat e vaksinimit - për të hyrë në hapësira publike dhe private, të tilla si restorante, kisha ose transport publik. Bazuar në statusin e tyre shëndetësor, disa njerëz mund të lëvizin lirshëm - ky do të ishte rasti i atyre që do të kenë rezultuar negativë për Covid-19 ose do të jenë vaksinuar," tha ajo.
"Në të kundërt, të tjerët nuk do të lejohen të udhëtojnë dhe të hyjnë në vende të veçanta, duke përfshirë kishat, vendet sportive dhe zonat e tjera. Padyshim, masa të tilla mund të ruajnë liritë e atyre që nuk kanë sëmundjen ose janë vaksinuar," argumentoi ajo. "Megjithatë, nëse disa njerëz nuk mund të kenë ose të përballojnë teste ose vaksina Covid-19, ata nuk do të jenë në gjendje të provojnë statusin e tyre shëndetësor dhe kështu liritë e tyre do të kufizohen de facto".
Në lidhje me shqetësimin e ruajtjes së të dhënave personale, "Ekziston shumë keqkuptim për atë që po bëjmë,” tha për Euronews Thomas Crampton, shefi i marketingut dhe komunikimit në projektin CommonPass, një aplikacion i sigurt për ndarjen e të dhënave personale shëndetësore.
CommonPass është në procesin e përdorimit nga pesë linja ajrore kryesore pasi u provua me sukses në fluturimet Cathay Pacific midis Singaporit dhe Hong Kongut dhe nga United Airlines midis Londrës dhe New York.
"Ajo që bën CommonPass është që t'ju lejojë të transmetoni informacione personale shëndetësore, posaçërisht teste Covid dhe statusin e vaksinimit, nga laboratorët e certifikuar dhe vendet e vaksinimit në një mënyrë të ruajtjes së privatësisë," shtoi Crampton.
Artikuj të rekomanduar:
Burimet: Euronews, Guardian