Showbiz dhe TV

Nga ‘Për’Puthen’ te ‘Gjurmë shqiptare’: Ç’mendon Lori mbi komentet për emisionet e Top Channel

Shkruar nga Anabel

22 Dhjetor 2020

Nga ‘Për’Puthen’ te ‘Gjurmë shqiptare’:

Gjatë intervistës me Eno Popin në “Dilema Sociale” në Top Albania Radio, Lori Hoxha foli edhe për televizionin sot në përgjithësi dhe Top Channel në veçanti.

“Çfarë televizioni po bëhet sot?” e pyeti Eno Popi.

“Televizion i shpejtë, për njerëz që duan thjesht të kalojnë kohë, por jo të mendojnë shumë gjatë. Duan thjesht të shohin veten e tyre, realitetin qe jetojnë në një platformë dhe të gjejnë veten, të ndihen sikur i përkasin.”

Në vijim, Popi tha se vitet e fundit, ka një mospranim të përmbajtjes së Top Channel; ka një reagim publik për mënyrën si po bëhet qasja e televizionit në përmbajtje. Ai shtoi se njerëzit pretendojnë se dikur, Topi kishte një tjetër qasje ndaj njerëzve dhe tani ka shkuar në tjetër qasje. Çfarë mendon Lori?

“Unë mërzitem për komentet për Topin më shumë sesa mërzitem për komentet për familjen time. Herë bëhem palë e komenteve dhe herë bëj një kritikë dhe them që ‘ju këtë doni të shihni deri diku’. Njerëzit nëpër komente përflasin vetëm programet që janë të thjeshta dhe të shpejta dhe kanë një lloj reagimi të drejpërdrejtë. Por të gjitha programet e tjera në Top që janë perfekte, si për shembull ‘Portokalli’ që është një industri që vazhdon prej vitesh fuqishëm, nuk fliten. Përflasin iku apo nuk iky ky, por për kualitetin e emisionit nuk përflitet. Pse nuk flitet për ‘Gjurmë shqiptare’? Ato ndiqen sigurisht njësoj, sepse në një sondazh të Top Channel para pak ditësh, ‘Gjurmë shqiptare’ ishte emisioni i tretë më i pëlqyer. [Eno Popi e korrigjon dhe i thotë se është i pari]. Kur e pashë unë ishte i treti, por uroj të jetë i pari. Pra, ne e kemi akoma një audiencë që do kualitet.”

“Çfarë nuk shkon me televizionet në përgjithësi? Çfarë mungon? Çfarë do të doje të shihje?” u pyet Lori më vonë.

“Unë mendoj se të njëjtat gjëra që ne bëjmë, janë edhe jashtë. Unë shoh Për’Puthen, shoh edhe Uomini e Donne, është e njëjta gjë. Është Canale 5 sigurisht dhe ti mendon që vlen më shumë se e prezanton Maria De Filippi, ama unë shoh dhe Bora Zemanin, shoh edhe stafin e Për’Puthen dhe them ‘kjo është Shqipëria’. Ne këtë kulturë kemi. Unë mundohem me bagazhin që kam të shoh diçka që më pëlqen dhe të shoh diçka që të nxisë te unë të jem njeri më i mirë, të flas më pastër, të ndërtoj marrëdhënie më të mira njerëzore. Fakti që ata flasin italisht nuk e bën më të mirë një program. Unë do të doja të bënim programe të tjera, por kur nuk të përkthehet në të ardhura, në fund të ditës, media dhe televizioni është biznes, i duhet të ketë audiencë dhe të mbajë veten e tij.”

“Ka pasur një tjetër formë 15 vite më parë. Më shumë se financa, shihej edhe pasioni dhe përmbajtja” shtoi Eno.

“Pasioni dhe përmbajtja ekziston akoma. Doja të zgjasja pak Top Awards që mendoj se është një nga programet më cilësore që është bërë ndonjëherë, edhe pse ishte vetëm një natë. Për të krijuar kualitet, ka të njëjtat kosto si në Tiranë, si në Romë si në Los Angeles, sepse të njëjtat kamera përdoren, i njëjti ndriçim duhet dhe e njëjta forcë njerëzore duhet. Por të ardhurat që të jep Shqipëria janë shumë më mininale. Këtu duhet të vetëflijohesh që të krijosh një program si Top Awards. Megjithatë nuk mendoj se pasioni ka vdekur, e shoh çdo ditë në Top, e shoh në çdo program. Ka kontent informativ kur e kërkon, ka më të thjeshtë kur e kërkon. Top Channel t’i ofron të gjitha, e zgjedh ti se çfarë sheh. Çfarë sheh ose dëgjon më shumë është reagimi që njerëzit kanë ndaj një gjëje që i prek më shumë.”

Lori në televizion?

“Lori dhe Lori Hoxha bëhen miks gjithmonë. Do të doja shumë. Nga eksperienca e viteve të fundit, mendoj se kam mjaftueshëm bagazh për të bërë një emision shumë të mirë dhe shpresoj që të vijë momenti që të jem gati të bëj diçka që vërtet vlen, jo për ta bërë sa për të vënë emrin tim te titrat. Uroj që të vijë dita.”