KORONAVIRUS

Kosova konfirmon rastet e para me variantin e ri të Covid

Shkruar nga Anabel

29 Janar 2021

Kosova konfirmon rastet e para me variantin e ri të Covid
Foto: Exit.al

Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë bërë me dije se janë konfirmuar rastet e para të infektimeve me variantin e ri të koronavirusit, të identifikuar për herë të parë në dhjetor të 2020-s në Mbretërinë e Bashkuar.

Në një komunikim për mediat, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, u shpreh:

“Siç e dini, ditëve të kaluara, IKSHPK ka dërguar 30 mostra për testim në Institutin e Virologjisë Charite në Berlin të Gjermanisë, me qëllim të hulumtimit rreth pranisë së varianteve të reja të virusit SARS-COV-2 në Kosovë, pas shfaqjes së tij në më shumë se 70 vende të botës. Nga rezultatet e këtyre analizave të kryera në Berlin, tri (3) mostra kanë rezultuar pozitiv në testimin preliminar si SARS-CoV-2 me variantin B.1.1.7. Ky variant është raportuar për herë të parë më 14 dhjetor 2020 në Mbretërinë e Bashkuar.”

Pas verifikimit, Kosova ka pezulluar fluturimet ajrore Prishtinë-Londër dhe anasjelltas. Prishtina dhe Fushë-Kosova mbetin ende si zonë e kuqe.

Britania ishte një nga vendet e para që identifikoi një variant të Covid që transmetohet më shpejtë. "Ky mutacion, të paktën në një mjedis laboratorik, lejon që proteina të lidhet më fort me proteina në sipërfaqet e qelizave që janë shënjestra", tha Dr. Eleanor Gaunt nga Universiteti i Edinburgh-ut. Varianti tani është zbuluar në 70 vende, sipas OBSH.

Më 22 janar, në një komunikim për mediat, Patrick Vallance, mjek, shkencëtar dhe farmakolog klinik në Britaninë e Madhe i cili shërben si Këshilltari Kryesor Shkencor i qeverisë që prej marsit të vitit 2018, tha se varianti i ri, për të cilin besohej se thjesht është më i transmetueshëm, ka gjasa të jetë edhe më vdekjeprurës. Në deklaratën e tij, Vallance tha se me variantin e vjetër, për grupmoshat mbi 60 vjeç ndërronin jetë 10 në 1000 banorë, ndërkohë që me variantin e ri, ndërrojnë jetë 13 ose 14 njerëz.

Ai u shpreh se pritet ta shohim këtë ritëm edhe në grupmosha të ndryshme. Vallance theksoi se ekziston pasiguri rreth këtyre numrave, por duket se ka një rritje të vdekshmërisë, si dhe të transmetueshmërisë. Përsa i përket ashpërsinë dhe vdekshmërinë, ai tha se të dhënat për pacientët në spitale, rezultuan njësoj për të dy variantet.

Varianti i Mbretërisë së Bashkuar nuk është i vetmi që po qarkullon, pasi mutacione të virusit janë identifikuar edhe në Afrikën e Jugut, Brazil dhe Kaliforni.

Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri nuk ka publikuar të dhëna mbi ekzistencën e ndonjë varianti të ri.

Kosova konfirmon rastet e para me variantin e ri të Covid