Me rastin e festës së Pavarësisë së Kosovës, ditën e djeshme (17 shkurt) Fifi mbajti një koncert në qytetin e Ferizajt, së bashku me Young Zerkën. Pas publikimit të pamjeve në rrjete sociale, përpos ndjekësve që e komplimentojnë për atmosferën e krijuar, të shumtë janë njerëzit që kritikojnë këngëtaren për “mungesën e përgjegjësisë”.
“Ku janë Policia e Kosovës dhe gazetat që po thonë ‘virusi, virusi’?” pyet dikush. “Faji është i atyre që kanë organizuar eventin dhe i yti që këndon dhe i publikon të tilla gjëra! Dhe përgjigjesh dhe pa të keq me ‘e kam djeg virusin sonte’,” shton një tjetër. “Nuk e di se çfarë ju kushton të kini pak përgjegjësi si popull. Nuk po kalojmë kohë të këndshme. Me qindra njerëz janë duke vdekur nëpër botë dhe në Kosovë. Të gjithë duam të dalim dhe të kënaqemi, por shëndeti i njerëzve përballë të gjithave”.
“Një veprim kaq i papërgjegjshëm”, “Hajde se nuk ka problem se ua çojnë prindërve virusin këta të rinjtë që janë aty”, “Turp për popullin tonë” janë disa prej shumë komenteve të ngjashme.
Kujtojmë se në përditësimin e datës 12 shkurt, Ministria e Shëndetësisë në Kosovë e vendosi Ferizajn në listën e qyteteve në zonën e gjelbër, pra që kanë më shumë liri veprimi (për shembull aktivitete në mjedise të mbyllura me shfrytëzim deri në 40% të hapësirës), por në njoftimin për masat anti-Covid thuhet se, “Të gjitha institucioneve publike (qendrore dhe lokale) si dhe organizatave, bizneseve dhe subjekteve private pa asnjë përjashtim, iu ndalohet organizimi i çfarëdo ceremonie festive”.
Po kështu theksohet, “Në hapësira të mbyllura ndalohet grumbullimi i qytetarëve në numër prej më shumë se 30 personave”. Siç shihet edhe nga pamjet, në festën ku këndon Fifi dhe Young Zerka, ka më shumë se 30 persona, të gjithë pa maska dhe ngjitur me njëri-tjetrin, grumbullim që mund ta kthejë Ferizajn në një vatër infeksioni. Situata e Covid në Kosovë, si pothuajse gjithë vendet e Ballkanit, është delikate, sidomos pas shfaqjes së varianteve të reja të Covid të cilat Kosova i konfirmoi që në fund të janarit.
Në lidhje me kritikat për mbajtjen e koncertit, "E kam djeg virusin sonte, m’fal për modestinë", u përgjigj Fifi. Mirë do ishte, por virusi nuk "digjet" me muzikë, përkundrazi.
Komente: