
Kristin Cabot, gruaja pas videos virale mbi tradhtinë më të bujshme verore të "kiss cam" në koncertin e Coldplay vendosi të thyejë heshtjen përmes një interviste për The New York Times.
Rrëfimi i saj vërteton pothuajse atë çfarë shumë prej nesh pamë, por jo çdo gjë kishte shkuar aq larg sa mendonim.

Sipas Kristin, përpara skandalit, mes saj dhe CEO-s së Astronomer, Andy Byron (të paktën deri përpara atij koncerti), nuk kishte ndodhur asgjë konkrete, qoftë kjo edhe një puthje. Por, pëlqimi ekzistonte. Ata e shijonin kohën që kalonin me njëri-tjetrin, filluan të flisnin thuajse çdo ditë. Kjo, jo sepse i detyronte puna, të kuptohemi. Me sa duket, ata kishin shumë të përbashkëta, mes tyre edhe gjendja aktuale që kishin me partnerët e tyre. Të dy po ndaheshin.

Pëlqimi nga ana e saj u rrit, derisa ajo vendosi ta ftonte në koncertin e Coldplay në korrik. Distanca që kishin ruajtur prej muajsh në punë u harrua atje. Pakëz e dehur dhe e dashuruar, filloi të kërcente me të.
“Bëra një veprim të gabuar. Piva disa kokteje High Noon, kërceva dhe u solla në mënyrë të papërshtatshme me shefin tim.”


Megjithatë, Kristin Cabot mendon se edhe pse aty u shfaqën të dy, ajo e mori përgjegjësinë për çdo gjë, duke sakrifikuar kështu karrierën e saj.
“Ky është çmimi që zgjodha të paguaj,” tha ajo. “Dua që fëmijët e mi të dinë se mund të bësh gabime, mund të dështosh keq, por nuk duhet të kërcënohesh me vdekje për to.”
Shefi arriti t'ia mbathte prej kamerës gjatë koncertit vetëm duke thënë një “dreqi ta marrë, jam unë”, ndërsa ajo mbulonte fytyrën nga turpi.
“Isha jashtëzakonisht e turpëruar dhe e tronditur,” tha Kristin Cabot për Times. “Unë jam drejtoresha e marrëdhënieve për publikun dhe ai është CEO. Është klishe, e gabuar dhe shumë keq.”

Sipas saj, të dy ata dërguan menjëherë një email në bordin drejtues të Astronomer, por algoritmi bën të vetën dhe pamjet u shpërndanë shumë më shpejt se koha që iu desh atyre për të menduar për mesazhin që do të dërgonin.

Nuk është e qartë se në çfarë situate ndodhet Andy Byron me bashkëshorten e tij, Megan Kerrigan, por ajo hoqi menjëherë mbiemrin e martesës nga profili i saj në Facebook përpara se ta fshinte fare llogarinë.
Kristin Cabot tha se ajo dhe Andy Byron qëndruan në kontakt pas ngjarjes, por më pas ranë dakord se “vazhdimi i komunikimit do ta bënte edhe më të vështirë gjithë situatën".





