
Rasti i Jeffrey Epstein është një nga skandalet më të mëdha të dekadave të fundit: trafikim seksual i vajzave të mitura, lidhje me elitën globale dhe një vdekje në rrethana të dyshimta në paraburgim në vitin 2019. Pikërisht kombinimi i krimeve të pamendueshme, fuqisë së kontakteve dhe mungesës së transparencës së plotë ka krijuar terren pjellor për teori konspirative për gjithë çështjen Epstein.
Publikimi i thuajse 3.5 milionë dokumenteve nga Dosja Epstein prej Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së (DoJ) ka rifreskuar shumë prej tyre. Ja një analizë më e detajuar e secilës.
“Epstein nuk u vetëvra”
Kjo është ndoshta teoria më e përhapur. Autoritetet amerikane e shpallën vdekjen e Jeffrey Epstein si vetëvrasje me varje në qelinë e tij në Manhattan Correctional Center në gusht 2019.
Por disa faktorë nxitën dyshime se kjo nuk ishte e vërteta e plotë:
- Kamerat e sigurisë pranë qelisë nuk funksiononin.
- Rojet e burgut u raportua se kishin fjetur në momentin që ngjarja ndodhi.
- Epstein ishte hequr nga mbikëqyrja speciale pak para vdekjes.
- Ai pritej të bashkëpunonte me hetuesit.
Këto elemente, të kombinuara me faktin që ai kishte lidhje me figura të fuqishme politike dhe financiare, e bënë publikun skeptik. Slogani “Epstein didn’t kill himself” u bë viral globalisht.
Megjithatë, hetimet zyrtare nuk kanë dalë me përfundim tjetër përveç vetëvrasjes.
“Epstein është gjallë”
Një version ekstrem i teorisë së parë pretendon se ai u “zhduk” dhe u nxor nga burgu. Variantet përfshijnë:
- Trump ndihmoi në arratisjen e tij,
- jeton në Izrael,
- jeton në një bunker nëntokësor,
- ose ka ndërruar komplet identitet dhe fytyrë dhe endet i lirë.
Teoritë konspirative të simulimit të vdekjes janë të zakonta, por nuk ka prova materiale që mbështesin ndonjë nga këto pretendime.
Programi i “super race” dhe eugjenika
Kjo teori ka bazë në raportime reale mediatike. Media si New York Times raportuan se Epstein kishte diskutuar me shkencëtarë të Harvard-it ide për eugjenikë (shkenca që merret me përmirësimin e vetive racore) duke përfshirë planin për të lënë shtatzënë shumë gra në një pronë të tij në New Mexico për të “përhapur ADN-në e tij” dhe për të përmirësuar njerëzimin.
Ai kishte lidhje me akademikë nga universitete prestigjioze dhe ishte i interesuar për gjenetikën, inteligjencën artificiale dhe përmirësimin biologjik. Kjo nuk do të thotë se plani u realizua, por ideja e tij u përdor nga komunitetet konspirative si provë e një “projekti për përmirësimin e njerëzimit”.
Tunele dhe objekte nëntokësore në ishull
Ishulli i tij privat në SHBA, Little St. James, është quajtur shpesh si “ishulli i pedofilëve”. Pamjet ajrore tregojnë struktura të pazakonta arkitekturore, përfshirë një tempull me kupolë blu.
Teoritë pretendojnë poshtë ishullit ka:
- tunele sekrete,
- qeli nëntokësore,
- ambiente për rituale.
Hetimet federale kanë konfirmuar ekzistencën e ndërtesave dhe instalimeve luksoze, por nuk ka prova të publikuara për rrjete masive tunelesh apo struktura të fshehta në funksion të ritualeve satanike.
Lidhje më të thella mbretërore
Rasti i prince Andrew është i dokumentuar publikisht dhe ai ka përfunduar në marrëveshje civile me një akuzuese, pra paditësja dhe ai kanë rënë dakord të zgjidhin çështjen ligjore në mënyrë civile, pa e çuar rastin deri në gjyq të plotë, duke shmangur vendimin final të gjykatës.

Teoritë shkojnë më tej, duke pretenduar përfshirje të familjeve të tjera mbretërore europiane dhe të Lindjes së Mesme. Këto pretendime zakonisht bazohen në fotografi gjatë eventeve sociale dhe kontakteve diplomatike, por pa prova direkte për përfshirje në krime.
“Dead man switch”
Kjo ka të bëjë me idenë që Epstein kishte ruajtur materiale komprometuese për elitën dhe kishte një mekanizëm automatik publikimi nëse vritej.
Deri më sot, nuk ka ndodhur asnjë “publikim automatik” që të konfirmojë ekzistencën e një sistemi të tillë.
Personazhe të famshme bashkëpunëtorë
Lista e personave që kanë pasur kontakt me Epstein është e gjatë dhe përfshin politikanë, biznesmenë, akademikë dhe figura të famshme V.I.P.. Përmendja në dokumente ose në regjistrat e fluturimeve nuk përbën provë krimi, por fakti që shumë figura vazhduan kontaktet edhe pas dënimit të tij në vitin 2008 ka ushqyer perceptimin e imunitetit elitar.
A ishte aset i inteligjencës?
Një teori e përhapur pretendon se ai ishte aset i:
- Central Intelligence Agency (CIA)
- Mossad (shërbimi izraelit)
Argumenti bazohet në:
- aftësinë e Epstein për të shmangur pasoja të rënda për vite,
- marrëveshjen e butë të vitit 2008,
- aksesin e pazakontë në elita globale.
Asnjë dokument publik i deklasifikuar nuk ka konfirmuar ndonjë lidhje të tillë.
Pretendimet e reja pas publikimit të dokumenteve
Pas publikimit të miliona faqeve, komunitetet online kanë vërejtur disa pika:
“Pizza” përdoret qindra herë në email-e
Kjo ringjall teorinë e Pizzagate, teori konspirative e pabazuar që pretendonte se politikanë të njohur amerikanë drejtonin një rrjet trafikimi seksual të fëmijëve nga një piceri në Uashington D.C. gjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale të 2016.

Në email-et e Epstein, fjala "pizza" përdoret mbi 900 herë. Por frekuenca e një fjale nuk provon domosdoshmërisht kodifikim pa analizë kontekstuale hetimore.
Lista me fjalët “pizza, cheese” si kode
Kjo listë ka qarkulluar prej 2016-s. Nuk është konfirmuar si dokument zyrtar i hetimeve federale, por pretendohet se fjalët e mëposhtme ishin kode për fjalë të tjera që zbulojnë aktivitetet e paimagjinueshme seksuale të personave të lidhur me Epstein.

Sipas listës, hotdog=djalë, pizza=vajzë, pasta=djalë i vogël, akullore=prostitutë mashkull, arrë=njeri me ngjyrë, hartë=spermë, salcë=orgji.

Email-e të dërguara në llogarinë e Epstein, ku falenderohet për "pizza-t e shijshme" që u kishte dërguar këtyre personave, janë të shumta.
Email-e për transgjinorët
Në disa email-e me biologun evolucionar Robert Trivers, Epstein diskuton ndryshimet që ndodhin me trupat e grave dhe burrave trans, por kjo nuk është domosdoshmërisht provë e ndonjë programi të fshehtë të Epstein për të ndryshuar gjinitë e fëmijëve fare të vegjël, siç ka qarkulluar mes teorive konspirative.

Llogaria bankare me emrin “Baal”
Sërish, në email-et e verifikuara rezulton se Epstein kishte një llogari bankare nën emrin Baal.
“Baal” është një hyjni e lashtë popujve kanaanitas (në zonën që sot është Izraeli, Libani dhe Siria jugore). Sipas disa burimeve të lashta dhe teksteve arkeologjike, disa kultura që adhuronin Baal (sidomos në Kana’an dhe Fenici) praktikuan sakrifica njerëzore, përfshirë fëmijët, si ofrime për të siguruar pjellorinë, shirat dhe favorin e perëndisë.

Kjo përforcoi teorinë se Epstein dhe rrjeti i tij kryenin rituale satanike ku sakrifikonin dhe hanin fëmijë të vegjël, megjithatë e gjitha mbetet në kuadër konspiracionesh, pasi emrat simbolikë përdoren shpesh në financa dhe teknologji pa domethënie fetare reale.
Email-et shqetësuese
Në email-et e mëposhtme, të publikuara në dokumentet e Dosjes Epstein janë gjetur:

Një email nga një person emri i të cilit është mbuluar: "Ku je? A je mirë? E adhurova videon e torturës."

Përdorimi i "pizza"-s: "Thjesht doja të të thoja që e vlerësova shumë picën sot. Faleminderit që na le ta bënim."
Më sipër: "Hajde dalim për pica dhe lëng rrushi sot. Askush s'mund ta kuptojë."

Një grua i dërgon mesazhin poshtë fotos së fëmijës së vet: "Oh Zot Jeffrey! Nuk mund t'i besoj numrat që shikoj në llogarinë time bankare. Fjalët s'mund ta përshkruajnë mirënjohjen që ndiej tani."

Një profesor matematike austriak i shkruan Ghislaine: "Jam shumë i lumtur që nuk vrava njeri. Perspektiva ime për jetën ka ndryshuar," gjë që ka nxitur edhe më shumë teoritë se Epstein ofronte foshnje për t'u shfrytëzuar nga burrat me të cilët kishte lidhje.

Bill Gates i ka dërguar mesazhe Epstein ku i lutej të fshinte email-et kur Gates kërkonte medikim për sëmundjet seksualisht të transmetueshme që kishte marrë nga disa "vajza ruse".

Me një kërkim të thjeshtë, rezultati "albanian" shfaqet gjithashtu me dhjetëra herë në Dosjen Epstein. Email-i i mësipërm: "Vajza shqiptare do bëjë çdo lloj pune që ti do që ajo të bëjë. Por ka probleme me dokumentet. Videon e saj për ty e ke."
